Blerta Deliu iu bashkëngjitet aktorëve të “O Sa Mirë” në edicionin festiv

Hit seriali “O Sa Mirë” ka realizuar së fundmi edicionin festiv, për të sjellë një episod special për vitin e ri.

Pjesë e edicionit festiv kanë qenë shumë prej figurave publike, ndërsa nuk kanë munguar edhe të famshmit nga fusha e politikës.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh ish-aktorja, Blerta Deliu, ka qenë gjithashtu e pranishme në xhirimet e episodit të fundvitit.

Blerta Deliu-Kodra (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Ajo ka publikuar në rrjetin social Instagram disa fotografi nga xhirimet, ku shfaqet krah aktoreve Arta Nitaj, Adriana Matoshi, Fisnik Ademi e Jeton Zogjiani.

Në mbishkrimin e fotografisë, deputetja e PDK-së shkruan se ndjehet e privilegjuar që pati rastin të jetë pjesë e edicionit festiv të “O Sa Mirë”.

“Isha e nderuar që pas një kohe t’gjatë të jem bashkë me kolegët në edicionit festiv të serialit “O Sa Mire” U ndjeva tepër mirë në mes të ekipes së serialit dhe dua të falenderojë shumë të gjithë kolegët dhe stafin për mikpritjen. Festë të mirë e mos harroni me e pa episoden në natën e ndrrimit të moteve”, ka shkruar Deliu-Kodra në Instagram.

Përndryshe, Blerta ka studiuar në Akademinë e Arteve në Prishtinë, dhe përveç aktrimit është marrë edhe me prezantim, para se t’i futej politikës. /Telegrafi/