Pas lajmit se do të paditet për keqtrajtim, Spacey publikon një video që besohet se është reagim ndaj akuzave të shumta
Kevin Spacey do të paditet për sulm të pahijshëm lidhur me një incident që ka ndodhur në vitin 2016 në një restorant në Nantucket në Massachusetts – kishte njoftuar të hënën prokurori i qarkut Cape & Islands, Michael O’Keefe.
Ndërsa ky njoftim është pasuar me publikimin e një videoje të aktorit në YouTube, të titulluar “Let Me Be Frank”.
Titulli ka të bëjë me një shfaqje të karakterit të Spaceyt, Frank Underwood, në serialin “House of Cards”.
“E di çfarë dëshironi”, thotë aktori në rolin e Frank Underwood në videon e publikuar në YouTube që është shikuar afro shtatë milionë herë për më pak se dy ditë.
“Natyrisht, ndoshta janë përpjekur të na ndajnë, por ajo që kemi është shumë e fortë, shumë e fuqishme. Mbi të gjitha, kemi ndarë gjithçka, ju dhe unë”.
“Jua kam treguar sekretet më të thella, më të errëta. Ju kam treguar saktësisht se çfarë janë në gjendje të bëjnë njerëzit. Ju kam shokuar me sinqeritetin tim, por kryesisht ju kam sfiduar dhe ju kam shtyrë të mendoni”.
“Dhe më keni besuar, edhe pse e keni ditur se nuk është dashur të më besoni. Prandaj, nuk kemi marrë fund, pavarësisht asaj që thonë. Dhe veç tjerash, unë e di çfarë dëshironi. Doni të më ktheni prapë”.
“Jua premtoj këtë. Nëse nuk e kam paguar çmimin për gjërat që të dy e dimë se i kam bërë, padyshim se nuk do ta paguaj për gjërat që nuk i kam bërë”, ka thënë më tej 59-vjeçari.
Nuk është e qartë nëse Spacey me këto deklarata iu është referuar akuzave të shumta për keqtrajtime seksuale në të kaluarën.
Aktori asnjëherë nuk ka folur drejtpërdrejtë lidhur me akuzat, pos që i ka kërkuar falje aktorit Anthony Rapp, i cili e kishte akuzuar se e ka keqtrajtuar seksualisht para më shumë se 30 vitesh (kur ai ishte 14-vjeçar), por ka thënë se nuk i kujtohet të ketë bërë diçka të tillë.
Ndërsa prej momentit kur nisën akuzat, karriera e tij ka pësuar rënie duke e përjashtuar nga seriali “House of Cards” dhe disa projekte të tjera filmike, ndërsa filmat që i ka realizuar kanë dështuar në treg. /Telegrafi/