Përmes librit “Qyteti është kudo”, Eliza pasqyron rezistencën kolektive të viteve të nëntëdhjeta
Pjesëmarrja e Kosovës në Bienalen e Venedikut është kurorëzuar me botimin e librit “The City is Everywhere” (“Qyteti është kudo”) të kuratores Eliza Hoxha.
Ky libër, i cili u mbështet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, sjell pasqyrimin e rezistencës kolektive në Kosovë gjatë viteve të nëntëdhjeta.
Ministri i MKRS-së, Kujtim Gashi, ka thënë se ky libër do të lë një dëshmi për rezistencën kolektive të viteve të nëntëdhjeta. Ai ka theksuar, po ashtu, se ky libër do t’i kontribuojë shumë gjeneratave të reja që ta njohin më shumë historinë e vendit të tyre.
E pjesëmarrjen e Kosovës në një ngjarje të tillë, Gashi e quajti storie suksesi – transmeton Kosovapress.
“Siç e tha edhe Jehona, padyshim ka qenë një prej pavijoneve më të vizituara nga të gjithë artistët edhe mysafirët që kanë marrë pjesë në këtë bienale. Jam po ashtu shumë i lumtur që përveçse rrëfimi ynë para botës në Bienalen e Venedikut do të jetë një pasqyrë e rezistencës tonë kolektive, kjo nismë brenda nesh do të hapë derë edhe për rrëfimet e tjera të këtyre viteve që i kontribuuan shtetndërtimit të Kosovës”, ka deklaruar Gashi.
Kurse kuratorja e Pavijonit të Kosovës në Bienalen e Venedikut, njëherësh ideatore e këtij projekti, Eliza Hoxha, është shprehur se në Pavijonin e Kosovës e trajtuan çështjen e hapësirës së lirë në Kosovë gjatë kohës së okupimit, në të cilat filloi edhe rezistenca kolektive.
“E kemi bërë një libër, i cili sjellë copëza rrëfimesh të akterëve të ndryshëm që e kanë përjetuar periudhën e viteve nëntëdhjetë në forma të ndryshme, kush si fëmijë, kush si i ri, si student, si bartës e familjes e si pjesë e proceseve politike, historike e ekonomike. Kështu që libri në fakt është një farë platforme që sjellë ide të ndryshme, qofshin ato personale apo edhe përjetime të caktuara, rrëfime të ndryshme dhe mund të jetë një bazament i mirë për të gjithë të tjerët që në fusha të ndryshme vazhdojnë të hulumtojnë për periudhën e viteve të nëntëdhjeta”, ka thënë Hoxha.
Pjesë e panelit ishin edhe Jehona Shyti, komisionere e Pavijonit të Kosovës, arkitektja Ardita Byçi-Jakupi dhe sociologia Linda Gucia, të cilat folën rreth angazhimit të tyre dhe rëndësisë së dokumentimit të periudhës së viteve të 90-ta përmes këtij libri.