Ariana Grande etiketon mikeshën e saj shqiptare Njomza, në postin falënderues për suksesin e këngës “7 Rings”
Shqiptaret e famshme nëpër botë tashmë janë të shumta në numër.
Të gjithë jemi dëshmitarë kur pak ditë më parë, këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, i bëri ftesë publike shqiptareve tjera të famshme: Rita Ora, Dua Lipa e Ava Max për të bërë një bashkëpunim.
Ajo mori tri përgjigje pozitive, me ç’rast mbetet të shihet vetëm nëse ky bashkëpunim do të realizohet me të vërtetë.
Përveç të lartpërmendurave, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është edhe një tjetër shqiptare që po ngjitet drejt majave të suksesit.
Ajo është bukuroshja Njomza Vitia me prejardhje nga Prishtina, për suksesin e së cilës ka raportuar edhe gjiganti mediatik “Billboard”.
Për ata që nuk e dinë, Njomza është po ashtu mikeshë e ngushtë e këngëtares me famë mbarë botërore, Ariana Grande.
Përveçse mikeshë, Njomza merr pjesë edhe në kompozimin e këngës së Arianës, dhe është gjithashtu ideatore e klipit të saj “Thank u, next”.
Në një postim të bërë së fundmi në rrjetin social Instagram, Grande ka publikuar listën e “Billboard” me “Hot 100”, ku në vend të parë renditet kënga e saj “7 Rings”.
Në falënderimin e bërë në rrjetin social Instagram, këngëtarja me famë botërore etiketon edhe llogarinë e Njomzës, me ç’rast ka bërë të ditur se shprehet falënderuese ndaj mikeshës për suksesin e arritur.
“Numri ynë i dytë, një debutim në tre muaj. I dua njerëzit me të cilët i punova këto këngë më shumë se sa që mund ta them me fjalë. Faleminderit të gjithëve për gjithçka. Jam përjetësisht mirënjohëse”, ka shkruar Ariana Grande në Instagram.
Njomza përndryshe është edhe vet këngëtare, dhe pret që së shpejti të nxjerr këngët e saj të reja në treg. /Telegrafi/