Diellza Kolgeci dhe Ledri Vula thellësisht të prekur për ndarjen nga jeta të mikut të tyre, Arian Dacit
Gjatë ditës së shtunë është ndarë nga jeta zëvendësministri i diasporës, Arian Daci, njëherësh i biri i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci.
I ndjeri u ndan nga jeta si pasojë e një orteku në Brezovicë, vend në të cilin po kalonte vikendin.
Të pikëlluar nga vdekja e tij kanë mbetur shumë persona, në mesin e tyre edhe shumë prej figurave publike.
Reperi Ledri Vula është një nga ata i cili e njihte nga afër Arianin, dhe ka publikuar një fotografi të mikut të ndjerë në InstaStory.
“Pusho në paqe’, ka shkruar Vula në mbishkrimin e fotografisë, duke treguar pikëllimin e tij për humbjen e mikut.
Thellësisht e prekur ka mbetur edhe bukuroshja Diellza Kolgeci, e cila të ndjerin e kishte shok klase.
Kolgeci ka publikuar një fotograf nga kujtimet e shkollës, ku nënvizon pamjen e Arianit, teksa në përshkrimin e saj tregon se si biseda e fundit mes tyre, ishte për pasionin e madh të të ndjerit, skijimin.
“Kemi me të kujtu kështu si ishe që nga fëmijëria, gjithmonë i buzëqeshur dhe i qetë… Rrallë jemi takuar por sa herë jemi pa, kemi fol për skijimin, kohën e çerdhes, kohën e adoleshencës dhe pardje për herë të fundit folëm për skijimin. Shumë na ke mërzitur…Shumë ngushëllime familjes Daci, shokëve e shoqëve”, ka shkruar Diellza në Facebook.
Ngushëllime për humbjen e të ndjerit kanë shprehur edhe shumë figura publike nga fusha e politikës. /Telegrafi/