DJ Paul van Dyk merr 11 milionë euro dëmshpërblim për lëndimin në shpinë dhe në tru pas rrëzimit në një festival në Holandë në vitin 2016
DJ Paul van Dyk ka marrë dëmshpërblim prej 11 milionë eurosh, tre vite pas ishte rrëzuar në një vrimë në skenë, gjatë një festivali muzikor në Holandë dhe kishte përfunduar në koma.
Muzikanti gjerman kishte pësuar frakturë në shpinë dhe lëndime në tru gjatë rrëzimit teksa interpretonte në festivalin “A State Of Trance” në Utrecht në shkurt të vitit 2016.
Van Dyk, emri i vërtetë i të cilit është Matthias Paul, kishte rënë në koma dhe iu deshën tre muaj për t’u shëruar në një spital holandez.
Xhirimet nga koncerti i tij në atë festival e shfaqin muzikantin duke hyrë nga prapa në skenë dhe në një moment zhduket.
Lëndimet në tru dhe në shtyllën kurrizore e detyruan që ai të qëndronte përkohësisht në karrocë invalidësh.
Për shkak të këtij lëndimi, ai nuk ka mundur të shkojë në turne deri në qershorin e atij vitit dhe e shtyu shumë albumin e ri, i cili u lansua në vitin 2017.
The Blast bënë të ditur se Van Dyk i ka paditur organizatorët e “A State Of Trance”, ALDA Events B.V., dhe ka fituar dëmshpërblim prej saktësisht 12.588.643 dollarë (11.023.811 euro).
Gjykata vendosi se kompania përgjegjëse nuk ka ndërtuar skenë të sigurt, ndërsa në shumën e paguar përfshihen edhe shpenzimet për mjekimet e mëtutjeshme, si edhe humbjen e përfitimeve që do t’i merrte me koncertet e tij pas aksidentit.
Van Dyk është një prej DJ-vë më të famshëm dhe më të suksesshëm, dhe është ndër të rrallët që është zgjedhur në dy raste DJ numër një në botë (në vitin 2005 dhe 2006).
Veterani i muzikës elektronike dhe producenti muzikor është më së shumti i njohur për hitet, si “Another Way” ”Talking in Grey” e “Face to Face”. /Telegrafi/