Dua Lipa nderon aktivistët e AIDS me “Swan Song”
Pop ylli me prejardhje nga Kosova, Dua Lipa, ka pak kohë që ka lansuar projektin e saj më të ri muzikor “Swan Song”.
Kjo këngë është kolonë zanore e filmit të ardhshëm “Alita: Battle Angel” dhe ka një melodie të fortë me mesazh domethënës.
Lipa përmes një postimi të bërë në Twitter javën që shkoi, bëri të ditur se “Swan Song” është “vetëm fillimi i luftës sonë për drejtësi”.
Ylli i pop-it vuri në dukje se Alita “lufton për të drejtat e njerëzve të margjinalizuar” dhe tha se projekti muzikor u frymëzua kryesisht nga ACT UP, një grup global avokimi që u formua në vitin 1987 në përgjigje të krizës së vazhdueshme të HIV / AIDS.
“Shpresojmë që ne të gjithë gjejmë një pjesë të vetes në karakterin e Alitës dhe të shohim se ne kurrë nuk duhet të heqim dorë nga beteja jonë kundër padrejtësive të botës”, shkruante ajo.
“Edhe në momentet më të vështira duhet të flasim”, ka thënë më tej Dua.
ACT UP ka ndikuar në mënyrën se si mjekët ndërveprojnë me pacientët me HIV pozitiv dhe ka luajtur një rol kyç në zhvillimin e barnave antiretrovirale që ngadalësojnë progresin e AIDS. /Telegrafi/