Ed Sheeran do t’i duhet të përballet me gjykatën pasi akuzohet për plagjiaturë të këngës “Thinking Out Loud”
Ed Sheeran do të duhet të përballet me gjykatën lidhur me pretendimet se ai ka kopjouar këngën “Let’s Get It On” të Marvin Gaye, pasi gjyqtari i ShBA-së refuzon ofertën për ta tërhequr padinë.
Një gjyqtar amerikan ka vendosur se një juri muzikore do të vendosë nëse Ed Sheeran është fajtor për plagjiaturë nga kënga “Let’s Get It On” nga Marvin Gaye, për hitin e tij “Thinking Out Loud”, shkruan DailyMail, transmeton Telegrafi.
Gjykatësi i qarkut, Louis Stanton hodhi poshtë kërkesën e këngëtarit Sheeran për të shkarkuar padinë dhe në një vendim të bërë të enjten tha se kishte ‘ngjashmëri thelbësore midis disa elementeve muzikore të dy veprave’.
“Let’s Get It On” u publikua në vitin 1973, ndërsa hiti “Thinking Out Loud”, me të cilin Ed Sheeran fitoi një çmim Grammy, ishte pjesë e albumit “X” të këngëtarit, të publikuar në vitin 2014.
Padia ndaj Sheeran është bërë nga Sony / ATV Music Publishing dhe Atlantic Records në bazë të ligjeve të autorësisë, pasi ata konsiderohen si trashëgimtarët e producentit Ed Townsend, i cili bashkë-shkroi hitin “Let’s Get It On” me Gaye.
Sheeran, 27 vjeç, mohon të ketë kopjuar Gaye.
Si dhe ‘ngjashmëritë thelbësore’ mes dy këngëve, Gjykatësi Stanton vendosi se ishte e diskutueshme nëse ritmi harmonik i “Let’s Get It On” meritonte mbrojtjen e autorit ose nëse ishte shumë e zakonshme.
Mbrojtja argumentoi se “Thinking Out Loud” karakterizohet nga’toni i zymtë, melankolik, duke iu drejtuar dashurisë romantike afatgjatë’ ndërsa “Let’s Get It On” ishte një ‘himn seksual’.
Përkundër kësaj, gjykatësi tha se dëgjuesit mund t’i shihnin këto dy projekte si të kishin të njëjtin ‘apel estetik’.
“Thinking Out Loud” arriti të renditej në vendin e parë në top listat britanike në nëntor 2014, ndërsa “Let’s Get It On” u rendit e para në ShBA në shtator të vitit 1973.
Sheeran është akuzuar gjithashtu për plagjiaturë mbi këngët e tij “Photograph” dhe “Shape Of You”.
Gaye u qëllua për vdekje nga babai i tij në vitin 1984 në moshën 44 vjeçare, duke lënë shumë hite pas. /Telegrafi/