Edhe pse 78-vjeçar, Tom Jones do t’u kthehet koncerteve gjatë këtij viti

 
 

Sir Tom Jones do të këndojë në Festivalin “Jazz and Heritage” në New Orleans të Louisianas gjatë këtij viti. Këngëtari legjendar dhe grupi i tij do të performojnë më 2 maj për të shënuar 50 vjetorin e themelimit të këtij xhaz festivali.   

“Jam shumë i nderuar që të performoj në festivalin e famshëm botëror të xhazi në New Orleans në maj të këtij viti!”, ka shkruar 78-vjeçari në Instagram.

Fansat e tij janë mahnitur me këtë lajm dhe disa prej tyre kanë thënë se do ta vizitojnë festivalin për ta shikuar idhullin e tyre nga afër.

Gjatë këtij viti, Jones do të këndojë edhe në Tel Aviv të Izraelit (më 3 korrik), ku ka interpretuar disa herë në të kaluarën, duke përfshirë vitet 2013 dhe 2017. Më pas, ai do të vazhdojë me turneun në Danimarkë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Austri dhe Gjermani.

Lajmi për rikthimin e tij në skenë ka ardhur si befasi, duke qenë se në vitin 2018, këngëtari veteran u detyrua të anulojë një sërë koncertesh për shkak të një infeksioni bakteror.

 

Sir Tom Jones (Foto: Tim P. Whitby/Tim P. Whitby/Getty Images/Guliver)

 

Ai madje u shtri në spital, ndërsa në muajin gusht u rikthye në skenë, porse ka pasur njoftime për probleme të tjera shëndetësore të Jones.

“Isha në rrugë dhe kur arritëm në Londër, ndihesha i plogësht. Nuk ndihesha mirë dhe thash me vete: ‘Më mirë kontrollohu, gjakun dhe gjithçka”.

“Më thanë se duhej të përdorja antibiotikë. Prandaj mi dhanë intravenozë dhe kjo ishte. Po të kishte ndodhur në një periudhë tjetër, askush nuk do ta merrte vesh. Do të pushojë disa ditë dhe aq. Por, mu desh të anuloja koncerte. Prandaj u bë e madhe”, kishte thënë këngëtari për The Mirror. /Telegrafi/