Eneda ngjitet në top treshe të Top Awards
Ajo është një këngëtare dhe prezantuese mjaft e talentuar dhe ndërkohë që i kishte munguar tregut muzikor shqiptar për thuajse tre vjet, Eneda Tarifa është rikthyer me një projekt i cili e përfaqëson denjësisht dhe këtë e vërteton më si miri pozicionimi i saj në “The Top List”.
“Nuk ia vlen” titullohet prurja më e re e artistes, e cila në një intervistë të dhënë për “Top Awards” është shprehur se kjo këngë nuk është një përjetim personal.
Që në javën e parë të publikimit, kjo këngë ka mundur të renditej mjaft mirë, ekzaktësisht në vendin e 4-t ndërkohë këtë javë votat e fansave e kanë renditur atë në treshen më të nxehtë të klasifikimit.
“Nuk ia vlen” ka marrë mjaft komente pozitive në rrjetet sociale, duke lënë kështu të nënkuptohet se muzika e Enedës iu kishte munguar pafund fansave të saj, për të cilët Eneda është shprehur se iu është përjetësisht mirënjohëse dhe përulet përpara publikut të saj.
Kjo këngë, përveç tingujve të bukur muzikor, e cila është trajtuar akustikisht si një baladë, ka ardhur e shoqëruar me një videoklip mjaft interesant, i kuruar deri në detaje me efekte speciale.
Por fansat e Enedës duhet të ndihen tepër të kënaqur pasi artistja ka premtuar se ky vit do e gjejë me tre ose katër projekte të reja muzikore por deri atëherë ata duhet të dëgjojnë, shijojnë dhe votojnë “Nuk ia vlen”.