Gashi i reagon Bebe Rexhës: Ftojeni edhe Njomzën për bashkëpunim, kur ju tregova për Ava Max ju qëndruat heshtur
Që kur shqiptarja me famë ndërkombëtare Bebe Rexha, u bëri ftesë të hapur patrioteve të saj: Rita Ora, Dua Lipa e Ava Max për bashkëpunim, vajzat shqiptare kanë arritur të shndërrohen në senzacionin e momentit.
Dua Lipa dhe Ava Max janë ato që i janë përgjigjur pozitivisht kësaj kërkese, gjersa ende nuk ka ndonjë reagim nga Rita Ora.
Megjithatë, lidhur rreth kësaj kërkese të Bebe Rexhës të bërë në rrjetin social Twitter, ka reaguar edhe një tjetër artist shqiptar i famshëm.
I want a collab @DUALIPA @RitaOra @avamax ?⚫️
— Bebe Rexha (@BebeRexha) January 28, 2019
Bëhet fjalë për rap-artistin me prejardhje nga Kosova që jeton dhe vepron në New York, Gashi.
Ky i fundit, ka publikuar në rrjetin social Instagram statusin e Bebe rexhës, teksa në mbishkrimin e fotografisë, u ka bërë thirrje vajzave që në bashkëpunim ta ftojnë edhe artisten tjetër shqiptare që po korr sukses në Amerikë, Njomza Vitia.
Njomza është mikesha e ngushtë e Ariana Grandes, dhe është kujdesur për disa tekste të saj, njëherësh dhe konceptin e videos “Thank u, next year”.
Përveç këtyre, Gashi ua ka kujtuar vajzave se dikur ai kishte dhënë mbështetje edhe për Ava Max (shqiptaren e cila u bë e famshme), por që në atë kohë kur ai e kishte spikatur talentin e saj, të tjerët kanë qenë “në gjumë”.
“Kur unë ju tregova juve për Ava Max, ju të gjithë fjetët…tani po ju them për Njomzën, kështu që mos flini! PS: Në vitin 2019 ndaloni së përçari mes shqipeve”, ka shkruar Gashi në Instagram, gjersa më pas të njëjtin e ka fshirë.
Më pas, Gashi ka publikuar një tjetër status në rrjetin social Instagram, duke shkruar: “Vajzat shqiptare janë duke djegur tregun e muzikës. Jam shumë krenar për to”.
Por që më pas, të njëjtin postim, ai është penduar sërish dhe e ka fshirë!
Të shumta kanë qenë komentet nga ana e ndjekësve, gjersa i çuditshëm vazhdon të jetë fakti se si artistja shqiptare gjithashtu e suksesshme në rrafshin ndërkombëtar, Era Istrefi, ka mbetur jashtë loje.
Pavarësisht se ajo i kishte bërë krenarë shqiptarët me suksesin e këngës së saj “Bonbon”, si dhe si interpretuese e Himnit të Kampionatit Botëror 2018, Istrefi nuk mori asnjë ftesë për këtë bashkëpunim. /Telegrafi/