“Llukmani” tregon arsyet se pse me bashkëshorten vendosi ta pagëzojë vajzën e tij, Mara

 
 

Ernest Zymberin është një prej aktorëve që ka bërë për vete shumë fansa anembanë trojeve shqiptare.

Aktori u bë i njohur me rolin e Llukman Abdylit në serialin, “O Sa Mirë”, por përtej kësaj kemi pasur kënaqësinë ta shohim edhe në teatër.

Viti që lamë pas ka qenë i jashtëzakonshëm edhe në aspektin privat, ku ka përjetuar për herë të parë ndjesinë e të qenit prindër i një fëmije pas martesës me Lenën.

Ai ka dhënë një intervistë ekskluzive për Telegrafin teksa ka rrëfyer shumëçka rreth karrierës dhe jetës private.

Ndër të tjerash ka treguar se si ka vendosur që me bashkëshorten ta pagëzojnë vogëlushen e tyre me emrin Mara.

“Gjatë kohës sa unë dhe Lena po prisnim lindjen e Marës, ende pa e ditur gjininë kishim krijuar një listë të emrave për djem dhe për vajza, me shumë propozime prej familjes dhe shoqërisë. Në atë kohë unë punoja në teatër dhe për koincidence emri që po i pëlqente Lenës ishte emri Marë, i cili gjithashtu ishte personazh në dy shfaqjet që luaja unë”, tha fillimisht aktori.

“Natyrisht më ka pëlqyer dhe e vendosëm këtë emër. Dmth me propozim të Lenës edhe me pëlqim timin u vendos lehtë. Filluam ta ndjenim se është emër për të. Për ndryshe është emër i vjetër shqip. Motra e heroit tonë Gjergj Kastrioti- Skënderbeu quhej Mara. Në gjuhen shqipe Mara dmth – e mara, mbarësi etj”, tha ai.

Ndryshe, Ernestin do të vazhdojmë ta shohim edhe më tej në serialian, “O Sa Mirë”. /Telegrafi/