Nga çmimet ndërkombëtare te dëshira për të rikthyer serialin “Kafeneja jonë”, Fatmir Spahiu: Ju rrëfej planet e mia
Ai konsiderohet si një ndër aktorët më të mirë të momentit ndër shqiptarët. E kemi parë shpeshherë në rolin e humoristit, e cila gjë ka bërë për vete publikun e të gjitha moshave.
Por, këtë vit Fatmir Spahiun ka ardhur në një dimension tjetër, në një projekt që ngërthen në vete vuajtjet e popullit shqiptar gjatë regjimit millosheviqian. Aktori por, edhe kasta e aktorëve të përkryer kanë marrë një numër të çmimeve ndërkombëtare dhe me këtë rast kanë ngritur në nivele të tjera kinematografinë shqiptare.
Një një intervistë për Telegrafin, aktori që njihet më mirë si “Oki”, shpalos disa detaje rreth filmit “Nëntori i ftohtë” si dhe disa të pathëna rreth jetës përtej artistit.
Fatmir, kohët e fundit keni realizuar një film, “Nëntori i Ftohtë”. Si po pritet filmi në Kosovë?
Filmi është prit shumë mire nga të gjithë. Vlerën këtij filmi ia kanë shtuar komentet e mira të publikut dhe veçanërisht kolegëve filmbërës.
Sa jeni ndarë i kënaqur me realizimin dhe çfarë do të thonë për ju çmimet ndërkombëtare të fituara?
Çmimet ndërkombëtare janë një vulë e suksesit. Po të mos ishin ato nuk do të ia vlente të merresh me to. Janë dy çmime të rëndësishme për filmin. Çmimi i publikut në Zürich Film Festival dhe çmimi për aktorin më të mirë në “Bosphorus Film Festival” i fituar nga Kushtrim Hoxha.
Filmi ka për tematikë jetën e vështirë të shqiptarëve gjatë regjimit të diktatorit Millosheviq. Sa ishte e vështirë të riktheni në ato kohëra?
Fillimisht dua te them se regjisori, Ismet Sijarina dhe skenaristi, Arian Krasniqi kanë bërë një punë të mrekullueshme duke krijuar një skenar, i cili trajton disa vite të pa prekura nga kinematografia vendore. Pastaj për neve të tjerëve që kemi bërë punë të tjera ka qenë më lehtë sepse kujtesa emocionale për ato vite është shumë e freskët. Shumica e ekipit në fillim vitet 90-ta ka qenë fëmijë ose adoleshent ne atë kohë, kështu që kujtesa është e kristaltë, prandaj gjërat në film duken sikur me qenë sot.
Cila ishe arsyeja që të vini me një film që ka një rrëfim të këtillë?
Kosova ka akoma shume storie të pa treguara. Kjo ka qenë njëra prej tyre. Bota ka dëgjuar për luftën, por jo për faktin pse ajo ka filluar. Bota nuk dinë shumë për aparteidin që rezultoi me luftën. Kam përshtypjen që si shoqëri nuk kemi ditur me plasuar mirë kauzën tonë dhe dashurinë për liri e që ka ardhur si pasoj e një shtypje sistematike. “Nëntor i ftohtë” si asnjë vepër tjetër e bënë më së miri këtë punë.
Ju keni edhe një rol tjetër në film – cili është më i vështirë – aktorit apo producentit?
Ky film ka një rrugëtim të gjatë dhe plot dashuri e pasion. Unë dyja pozicionet i kam bërë me shumë kënaqësi. Por në fund me të dyja pozicionet jam shumë i lumtur që unë dhe tërë ekipi i kemi sjell Kosovës një film të rrallë dhe me suksese ndërkombëtare.
Të kthehemi te roli i Okit në serialin “Kafeneja Jonë”. Na tregoni sa ju mungon seriali?
Nuk ka ditë që nuk kam minimalisht 10-15 mesazhe ne rrjete sociale dhe komente lidhur me serilalin “Kafeneja Jonë”, njerëzit kanë dëshirë me pa vazhdimin e këtij seriali. Unë jam i sigurt që në të ardhmen do të bëjmë ndonjë sezone për ta qerasur audiencën, ndërkohë vazhdojmë me projekte të tjera.
A keni kontakt me kastën tjetër të aktorëve të serialit?
Po, me shumicën e tyre jemi miq të mirë dhe shihemi shpesh. Fundja kemi qëndruar bashkë 11 e më tepër vite. Kemi ndare shumëçka bashkë.
Çka llogaritni suksesin tuaj më të madh në karrierë?
Unë mundohem që çdo ditë të jem produktiv dhe të sjell diçka të re dhe të mirë. Ndoshta duhen me kaluar edhe disa vite për me emëruar një sukses si më të madhin në karrierë. Por te themi që suksesi i këtij viti në rrafshin personal është ftesa për anëtarësim dhe anëtarësimi në Akademinë Evropiane të Filmit si anëtar dhe kjo si sukses i filmit “Nëntori I ftohtë”.
Çfarë mendoni për kinematografinë e Kosovës – jemi në rrugën e duhur apo kemi ngecje?
Mendoj që ka një hapje dhe zhvillim të madh në disa vite të fundit. Janë krijuar disa produksione shumë profesionale dhe mundësi ka më shumë. Gjithsesi lajm i mirë i këtij viti është rritja e buxhetit për qendrën kinematografike dhe rrjedhimisht subvencionimin e filmit, por akoma nuk është mjaftueshëm. Duhet të bëhet më shumë. Filmi dhe sukseset e filmbërësve duhet të trajtohen ekuivalent sportistëve. Nëse një filmbërës merr çmim ndërkombëtar në një festival të kategorisë A, ai duhet të shpërblehet sikur të kishte qenë pjesëmarrës në olimpiadë.
Ju jeni edhe prindër. Na tregoni se si është një ditë e zakonshme e juaj?
Falë Zotit, unë dhe Zana kemi dy fëmijë, Malin dhe Lisin. Unë mundohem me qenë i përkushtuar në familje, por disi kur nuk është mjaft.
Çka do të presim në vitin e ardhshëm nga ju?
Momentalisht jam duke realizuar një emision në Shqipëri. Një format fantastik qe quhet “Gjyshet Milionere” më tepër nuk po zbuloj.
Fatmir, faleminderit shumë faleminderit. Mesazhi yt për lexuesit e Telegrafit?
Lexuesve të Telegrafit ju uroj një vit të ri. Shëndet në radhe të parë dhe të tjerat vijnë vet!