Sony ndërpret bashkëpunimin me R Kellyn, pas akuzave për keqtrajtim seksual
Këngëtari amerikan, R Kelly dhe shtëpia diskografike RCA, e cila është në pronësi të Sonyt – e kanë ndërprerë bashkëpunimin – bëjnë të ditur mediat amerikane.
Siç transmeton Variety, burime të ndryshme kanë thënë se ka ardhur deri të ndërprerja e bashkëpunimit ndërmjet palëve, mirëpo ata kanë arritur marrëveshje që të mos publikojnë njoftim zyrtar.
52-vjeçari ka marrë dhjetëra akuza për keqtrajtime seksuale dhe kjo gjë është përmendur si shkak i ndërprerjes së bashkëpunimit me Sony.
Akuzat kanë qenë pjesë e një dokumentari me titull “Surviving R Kelly”, i cili është transmetuar gjatë këtij muaji.
Filmi dokumentar është i fokusuar te femrat që e kanë akuzuar këngëtarin për keqtrajtime seksuale në të kaluarën.
Po ashtu, dokumentari sjell edhe tregimin për lidhjen ndërmjet R Kelly dhe këngëtares së ndjerë, Aaliyah, me të cilin ishte martuar kur ai kishte 27 vjet, ndërsa ajo 15 vjet.
Muzikanti amerikan është një prej yjeve më të suksesshëm të muzikës R&B, mirëpo ai përballet me akuza të shumta për keqtrajtime që kanë ndodhur që në vitet e nëntëdhjeta.
Në vitin 2008, ai ishte gjykuar për xhirimin e një videoje seksuale me një femër nën moshë madhore, mirëpo nuk ishte burgosur.
Këngëtari në vitin e kaluar e publikoi këngën me titull “I Admit” (“E pranoj”) që zgjat 19 minuta dhe në të iu përgjigjet të gjitha akuzave. Në këngë e ka pranuar tradhtinë, por i ka hedhur poshtë akuzat për pedofili dhe seks pa pëlqim të palës tjetër. /Telegrafi/