Stop këngëve me drogë, Tayna: Nuk kemi rol edukues

  

Pas kërkesës së deputetit kosovar Haxhi Avdyli për ndalimin e transmetimit të këngëve me përmbajtje droge në televizionet e Kosovës, ka reaguar Tayna.

Reperja që këndoi “Columbiana”, këngë që i dha edhe famën e madhe, tha se artistët nuk kanë rol edukues në shoqëri.

Ajo u shpreh se kur shteti nuk arrin të ndalojë përdorimin e narkotikëve, atëherë artistët nuk kanë peshë shumë të madhe në vendimin e njerëzve.

Tayna shtoi se vetë nuk është përdoruese e narkotikëve dhe nuk ua rekomandon të rinjve që ta përdorin.

“Në një shtet që nuk mundet të ndalojë përdorimin e narkotikëve ose shumë gjëra të tjera, nuk ma merr mendja që ne artistët kemi peshë të madhe në veprimin e njerëzve. 

Ne vetëm këndojmë dhe mundohemi të argëtojmë popullsinë. Unë për vete nuk përdor asgjë nga këto, madje as duhanin që shumica e konsumojnë dhe po ashtu është shumë i dëmshëm. Kush dëshiron ta përdorë ne nuk mund ta ndalojmë. Kush nuk dëshiron, nuk mund ta shtyjmë. Tek e fundit nuk kemi rolin e prindërve për të edukuar askënd.

Ky është zhanër muzike që ka tema të tilla dhe dëgjohet vetëm prej atyre që e pëlqejnë. Ju jeni rritur me muzikën rrok që po ashtu ka pasur tema të tilla. Nuk duhet të merret personale asgjë që thuhet në tekstet e këngëve. Nuk ua rekomandoj asnjëherë të rinjve që të përdorin lëndë të tilla. Fëmijët janë në dorën tuaj, se çfarë i lejoni dhe çfarë nuk i lejoni të dëgjojnë, të shikojnë ose sesi i edukoni.

Besoj kemi pasur probleme më të mëdha në shtet,”-tha ajo.