Top Awards, Getinjo ngjitet në top pesëshe
Një hit që premton u konsiderua prurja më e fundit e Getinjo dhe duket se artisti nuk zhgënjeu aspak fansat e tij. I ardhur mjaft ndryshe, me një tjetër stil në këndim, reperi është bërë sërish qendra e vëmendjes, falë mbështetjes së madhe nga ana e publikut.
“Uh” mban titullin kjo këngë, e cila është bërë pjesë e klasifikimit rreth 3 javë më parë. Ndërkohë që në javën e parë të futjes në listë ky projekt muzikor renditej në vendin e 15-të, nga java në javë, ai është ngjitur sa më në majë të klasifikimit dhe për këtë javë pozicionohet në vendin e 5-të, duke u bërë kështu pjesë e zonës së nxehtë.
Ndërkohë që disa fansa kanë kritikuar paksa Getinjo për ndryshimit e stilit të tij, vetë reperi në një koment në Instagram shprehet se përveçse ka bërë muzikë për të argëtuar njerëzit nëpër klube, në rrugë apo në shtëpi ndonjëherë mendon se njerëzit duhet të dëgjojnë muzikë të thellë dhe të vërtetë.
“Duhet të bësh muzikë për çdo lloj strukture, jo vetëm për ata që dalin në klube nate“, shton ndër të tjera Getinjo.
Me siguri Getinjo nuk i referohet projektit “Uh” në këtë rast pasi ky i fundit është vërtet një këngë për ta dëgjuar me volum të lartë dhe për ta kërcyer nëpër klube nate.
Getinjo dhe vëllai i tij, Mozzik, kanë vetëm pak kohë që i janë rikthyer koncerteve pas një periudhe shkëputje për shkak të ndërrimit të shtëpisë diskografike dhe publiku nuk i ka harruar aspak por ka shijuar muzikën e dy artistëve.
Getinjo gjendet në klasifikim edhe dy projekte të tjera muzikore. Bashkëpunimi i tij me Mozzik, “Para Siempre”, për këtë javë renditet në vendin e 51-të ndërsa kënga e tij “solo”, “Ti ngele”, pozicionohet në vendin e 74. /tch/