Abuzimi me 16-vjeçaren, Nora Istrefi krahason policët e arsimtarët me serbët

  

Ngjarja shokuese në Drenas të Kosovës ku polici përdhunoi një vajzë 16-vjeçare i ka tronditur të gjithë. Efektivi e kishte njohur vajzën ditën që ajo kishte shkuar në stacionin policor në Drenas për ta denoncuar mësuesin e saj për marrëdhënie seksuale me dhunë. Mediat kosovare raportojnë se ka abuzuar me të për rreth dy vite.

Ka patur mjaft reagime nga emrat e njohur të estradës që kërkonin dënim për policin që la shtatzënë të miturën dhe e detyroi të abortojë. Këngëtarja Nora Istrefi ka bërë një postim në Instastory ku kërkoi dënim me burg të përjetshëm për pedofilët.

“Më parë dhunonin serbët femrat shqiptare. Ndërsa tani arsimtarët dhe policët tanë. Turp për Kosovën në cfarë niveli ka ardhur. Pedofilat, burg të përjetshëm”, shkruajti Nora në Instagram.

Polici Vesel Veseli me vendbanim në Drenas, është arrestuar nga policia e Kosovës. Ende nuk është dhënë dënimi për të.