Aktori shqiptar: Si më la 2 vite pa punë fama që mora në filmin e madh francez
Aktori i famshëm Gent Kame ka luajtur në filma të ndryshëm shqiptarë dhe të huaj.
I ftuar në emisionin Late Night Show në Ora News, zbuloi sesi luajtja e një roli në një serial të madh francez e la dy vite pa punë.
Gent Kame: “Televizioni të hedh në treg më shpejt sesa kinemaja. Nga 40 prodhime që mund të kem gjysmat i kam kinematografike dhe gjysmat televizive, që janë seriale.
Prodhimi që më bëri të njohur në publikun e gjerë në Francë, ka qenë një serial francez që ishte më i shituri. Bëra lekë dhe u bëra i njohur. Por problemi është që dardha ka bishtin mbrapa sepse ngaqë u personifikova kaq shumë me këtë personazh unë ngela dy vite pa punë. Sepse të gjithë njerëzit që kishin nevojë për një rol, sapo më shikonin thonin ky është filani, jo. Dhe u desh që unë të harrohem, njerëzit të më harronin që rifilloja çdo gjë nga e para.”