“Andërr” vjen së shpejti në Teatrin Kombëtar me balerinët më të mirë në vend

  
  

Shfaqja “Andërr” ka si temë Kohën në kuptimin që askush nuk mund ta ndal, ta kontrolloj ose ta kthejë… e ajo ec gjithmonë dhe nuk e pret askënd.

Njerëzit nuk e vlerësojnë kohën aspak dhe mendojnë qe koha është e “garantuar” por në rastet kur dikush është ne gjendje të keqe shëndetësore ose kur ndodh ndonjë tragjedi, atëherë e kuptojmë se sa e rëndësishme është koha.

Kuptimi i titullit “Andërr” lidhet me lakminë e njeriut për gjëra materiale, për pushtet, autoritet e gjëra të tjera; e në fakt nuk i vlerëson të mirat e tjera që mund t’i ketë në jetë si familja, dashuria, shoqëria e vërtetë etj. Kur ndodh diçka e keqe në realitet, ne themi: “pse nuk ishte ëndërr, por e vërtetë”.

Dhe e kundërta: kur shohim diçka shumë të bukur në ëndërr, nuk dëshirojmë të zgjohemi sepse realiteti nuk na pëlqen; pra në disa raste do të donim të jetojmë në ëndrra. Ngjarja në shfaqje ndodh në një lagje, ku dëgjohet muzika Hip-Hop.

Është një komunitet që jetojnë në lumturi e harmoni mes tyre edhe pse nuk kanë para e të mira materiale.

  

Posteri i shfaqjes “Andërr”

  

Shumica aty kanë ëndrra për pasuri e shumë gjëra të tjera. Një çift kanë dashuri aq magjike sa mund ta quajmë “ëndërr”.

Kur ata janë bashkë asgjë nuk ekziston pos tyre dhe duket se koha ndalon në ato momente.

Djali fillon të hyjë në mendime shumë të thella e depresive duke u munduar të dalë nga ai realitet, nga ai ambient ku jeton dhe fillon ta ndjekë ëndrrën e tij. Ai e harron komplet vajzën që e donte aq shumë dhe pastaj ka pasoja të mëdha.

Në fund ai mundohet ta ndalë kohën por është e kotë. Shfaqja është me lëvizje të kombinuara mes baletit klasik, modern e Hip-Hop.

Pjesëmarrësit në këtë janë emrat më të mirë të baletit në vend: Kreshnik Musolli, Isa Beg Gjocaj, Sead Vuniqi, Aulonë Nuhiu, Sinan Kajtazi, Muhamet Bikliqi, Fisnik Sinani, Luljeta Ademi, Fatmir Smani, Teuta Krasniqi, Donmir Bilalli, Jeta Musolli, Frilon Podrimçaku, Vjollca Llugiçi, Ilir Krasniqi, Mërgime Morina, Vlora Prizreni, Liridon Mziu, Marigonë Hoxha, Nora Gashi, Mimoza Bytyqi, Besarta Shaljani, Elmedina Berisha dhe Flakarta Qorri.

Kjo shfaqje do të jepet premierë më 15 dhe 15 shkurt në hapësirat e Teatrit Kombëtar të Kosovës. /Telegrafi/