Ariana Grande kthehet në Mançester, dy vite pas sulmit terrorist në qytetin anglez

  
  

Ariana Grande do të kthehet në qytetin e Mançesterit për herë të parë që nga viti 2017 për të performuar në kuadër të evenimentit Krenaria e Mançesterit.

Këngëtarja 25-vjeçare ka njoftuar se do të kthehet për ta kryesuar evenimentin që do të mbahet më 25 gusht në Mayfield Depot.

  

Ariana Grande (Foto: Theo Wargo/Getty Images/Guliver)

  

Ajo ka thënë më herët se do të mbajë një koncert të veçantë në këtë qytet, në kuadër të turneut të ardhshëm.

“Të dashurit e mi nga Mançesteri, jam shumë e entuziazmuar që do të jem në spektaklin e krenarisë. Zemra ime. Mezi pres t’ju shoh dhe ju dua shumë”, ka shkruar këngëtarja në Twitter.

Ariana ka shtuar se është duke punuar edhe në një tjetër organizim, i cili do të jetë akoma më i veçantë për qytetarët e Mançesterit.

  

Ariana Grande (Foto: Mike Coppola/Getty Images for Billboard/Guliver)

  

Ky do të jetë koncerti i parë i saj që nga ‘One Love Manchester’ që u zhvillua në stadiumin Old Trafford në vitin 2017, dy javë pas sulmit terrorist në njërin prej koncerteve të saja në Mançester, ku e humbën jetën 22 njerëz.

Këngëtarja pritet ta fillojë turneun e ri muzikor Sweetener/Thank U Next në muajin e ardhshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar do të arrijë në gusht, ku do t’i mbajë tri koncerte në O2 Arena të Londrës, pastaj në Mançester, pastaj në Birmingham, Glasgou dhe Sheffield në muajin shtator. /Telegrafi/