Balada e fuqishme e Ritës, “Soul Survivor”, është zgjedhur si himni i Super Bowl për reklamën e Bumble
Legjenda e tenisit, Serena Williams dhe këngëtarja e famshme shqiptare, Rita Ora, i kanë bashkuar forcat me kompaninë “Bumble” për një reklamë të re dhe të fuqishme për Super Bowl.
Bumble – aplikacioni i popullarizuar që i inkurajon femrat për të dalë në takime dhe të krijojnë miq në internet – i ka zgjedhur dy yjet e përmendura për fushatën “The Ball is in Her Court”.
Në video-reklamën shihet ikona e tenisit dhe momentet kur ajo e ka marrë iniciativën dhe e ka bërë hapin e parë, dhe si kjo gjë ia ka ndryshuar jetën përgjithmonë.
Pjesë e klipit është hiti ndërkombëtar i Ritës, “Soul Survivor”, ndërkohë që shfaqen triumfet e Serenas nga e kaluara.
Kjo është hera e parë që Bumble ka vendosur për një reklamë në Super Bowl që këtë vit mbahet të dielën mbrëma (orët e hershme të të hënës me orën tonë) në Mercedes-Benz Stadium në Atlanta.
“Jam shumë e nderuar që Bumble e zgjodhi këngën time ‘Soul Survivor’ për reklamën e tyre në Super Bowl me Serena Williams!”.
“Ajo këngë ka shumë rëndësi për mua dhe për atë që flet albumi ‘Phoenix’! Ti e ke fuqinë! Mos u ndal së shkëlqyeri”, ka shkruar Rita në Instagram. /Telegrafi/