Dokumentari për Michael Jackson, familja e këngëtarit hedh në gjyq HBO për 100 milion dollarë

  

Familja e Michael Jackson ka hedhur në gjyq HBO për shkak të dokumentarit “Leaving Neverland”, ku thuhet se këngëtari abuzoi seksualisht me dy djem të mitur.

Në padinë prej 53 faqesh, paraqitur në Gjykatën e Lartë në Los Anxhelos, janë kërkuar 100 milion dollarë shpërblim nga HBO për transmetimin e dokumentarit që ishte premierë në Festivalin e Filmit Sundance këtë vit.

“Michael Jackson është i pafajshëm,”-thuhet në padi. “Në vitin 2005 ai doli në gjyq dhe u lirua nga akuzat. Dhjetë vite pas vdekjes së tij ka ende njerëz që duan të përfitojnë nga suksesi në mbarë botën i Michael dhe pasuria e tij.”

Dokumentari prej katër orësh, me dy pjesë, që do të shfaqet muajin e ardhshëm, përfshin dëshmitë e dy burrave, Wade Robson dhe James Safechuck, të cilët thonë se Mbreti i Popit abuzoi seksualisht me ta kur ishin 7 dhe 10 vjeç.

Padia pretendon se HBO në vitin 1992 shfaqi një koncert në Bukuresht nga turneu “Dangerous” i Jackson dhe në atë kohë ka nënshkruar një marrëveshje që ndalon transmetimin e materialeve që dëmtojnë reputacionin e Jackson.

“Duke shkelur të dy normat themelore të gazetarisë dokumentare dhe kushtet e marrëveshjes, HBO shpërfilloi trashëgiminë e Jackson duke transmetuar një pjesë të njëanshme të dëshmive kundër këngëtarit bazuar ekskluzivisht në akuzat të rreme të dy dëshmitarëve,”-shkruhet në padi.