E larguan apo iku me dëshirë nga Babastars? Skivi do zbulojë çdo gjë në filmin e tij

  

Babastars është konsideruar prej vitesh si një prej grupeve më të mira shqiptare pasi reperët sillnin vazhdimisht hite të ndryshme muzikore.

Reperi Skivi vendosi të largohej nga ky grup së bashku me kolegun e tij Cozman. Fundvitin e kaluar, Skivi vendosi të qëndrojë në qetësi duke mos sjellë shumë projekte muzikore, por 2019 do jetë viti i tij.

Ai ka paralajmëruar se shumë shpejt do sjellë një film të shkurtër ku do flasë për përcarjen dhe largimin e tij nga Babastars.

“Një temë e shkurtër për një situatë që po ndodh realisht rreth meje, për disa paragjykime që i kanë njerëzit për mua. Në atë film do paraqesim këtë ngjarjen e fundit rreth meje sa i përket grupit, muzikës”, tha Skivi për “Prive”.

Ndër të tjera, reperi tregoi se po punon për një album muzikor dhe shumë shpejt do rikthehet në treg me tre klipe në të njëjtën ditë, por që nuk do kenë lidhje me njëra-tjetrën.

“Me të gjitha këto që kam kaluar, po të vij me një këngë më duket shumë pak, të vij me një album, më duket shumë. Kështu që, albumin e kam nisur ta punoj por kam vendosur të paraqitem me 3 këngë dhe një film të shkurtër mes tyre. Secila e ka kuptimin e vet dhe vendin e vet në album. Njëra prej këngëve është Intro e albumit”, u shpreh reperi Skivi.