E paralajmëroi në Twitter, modelja gjendet e vdekur

  

Një personalitet kontraversial i medias argjentinase është gjetur e pajetë mbrëmjen e së shtunës në veri të Buenos Airesit. Natacha Jaitt, 41-vjeçe ishte tepër e njohur në Argjentinë falë eksperiencave të saj si modele, aktore, eskortë dhe prezantuese televizive e radiofonike.

Policia tha se trupi i saj u gjet i pajetë në një shtrat në një klub nate në distriktin Tigre. Hetuesit po punojnë për zbardhjen e plotë të shkaqeve të vdekjes së 41-vjeçares, përfshirë hetimin e 5 personave që kanë qenë me të në orët para vdekjes. Autopsia e këngëtares po kryhet në morgun San Fernando.

Jatt njihej më parë si përdoruese droge, për sipas të dhënave të fundit ajo nuk  konsumonte më substancat e ndaluara. Megjithatë raporte ende të pakonfirmuara në mediet lokale thanë se mbrëmjen e së premtes, Jatt kishte konsumuar sasi të mëdha kokaine, LSD dhe shampanje.

Por këto raportime nuk e kanë bindur publikun e gjerë, i cili ka përhapur në rrjetet sociale teori konspirative, sipas të cilave ajo mund të jetë hequr qafe nga një grup i strukturuar pedofilie. Në vitin 2018 Jatt akuzohoi dhjetëra personalitete sporti dhe showbizi si të përfshirë në një grup prostitucioni të miturish.

Dyshime për vrasje kanë marrë shkas edhe nga një postim i 41-vjeçares në rrjetet sociale në Prill të vitit 2018, ku duket se parashikon çdo gjë që më pas mund t’i ketë ndodhur.

“Kujdes! Unë nuk do të vetëvritem, nuk do të konsumoj kokainë dhe të mbytem në banjë, as të qëlloj veten. Kështu që nëse kjo ndodh, nuk kam qenë unë. Ruajeni këtë postim”, paralajmëroi Jatt në profilin e saj në Twitter. /tvklan.al