Ekskluzive: “Furtuna” rikthen Tunën me album
Ajo shënoi fuqishëm rikthimin e saj në muzikë gjatë vitit 2018 me nxjerrjen e dy projekteve muzikore, të cilat ia rikthyen lavdinë e dikurshme.
Por këngët solo nuk janë iniciativa e vetme që ajo ka ndërmarrë për t’iu rikthyer fansave të saj, që e kanë pritur me aq padurim.
Në një kohë kur albumet janë sinonim i “dorëheqjes” për estradën shqiptare, është ajo e cila ka vendosur që t’i japë prap frymë një projekti, që simbolizohet si “pasaporta” e një këngëtari.
Është kjo këngëtarja Tuna Sejdi, e cila është në përfundim e sipër të albumit të saj më të ri, që tashmë ka edhe një periudhë të caktuar publikimi.
Ky album siç mëson Telegrafi mban titullin “Furtuna”, dhe ka brenda tij të përfshira shtatë këngë të reja, që do të ngelin perla të pazëvendësueshme të muzikës së mirëfilltë shqiptare.
Për këto këngë, ajo u është rikthyer bashkëpunëtorëve të saj të vjetër: Armend Regjepagiqi, Aida Baraku dhe Darko Dimitrov.
Të njëjtët janë edhe emrat që kanë punuar hitet e saj ndër vite si: “Bileta”, “Inati”, “Dyshemeja” etj.
Albumi pritet të jetë i gatshëm për publikun në të gjitha platformat digjitale të muzikës gjatë muajit mars. /Telegrafi/