Instagrami me përditësime të reja, zhdukë miliona fansa nga profilet e të famshmëve
Rrjeti social Instagram, është përfshirë së fundmi në një valë polemikash, nën akuzat se ka fshirë një numër të madh profilesh të rreme, pa bërë asnjë lajmërim paraprak.
Kjo ka ndikuar që shumë personazheve të famshme nga fusha të ndryshme, t’u zhduken një numër i madh ndjekësish.
Siç raportohet, brenda 24 orëve, këngëtarja e famshme, Ariana Grande, ka humbur mbi tre milionë ndjekës.
Edhe këngëtarja tjetër e famshme, Selena Gomez, e cila ka një ndër profilet më të ndjekura në këtë rrjet social, humbi brenda natës dy milionë ndjekës.
Mediat ndërkombëtare kanë raportuar se ky është një përditësim i Instagramit, për të zhdukur profilet e rreme dhe jo-aktive.
Në këtë mënyrë, pritet që të ulet edhe intensiteti i blerjeve dhe abuzimeve me ndjekësit fallco.
Nga një fenomen i tillë janë prekur edhe këngëtarët shqiptarë, dhe njëra ndër to është Enca Haxhia.
Vetëm pak orë pasi festoi numrin e dy milionë ndjekësve në Instagram, ky numër i saj zbriti në 1.9 milion. /Telegrafi/