Ka ndërruar jetë Mark Hollis, lideri i grupit “Talk Talk”
Mark Hollis, këngëtari i grupit “Talk Talk”, ka ndërruar jetë në moshën 64 vjeçare – ka bërë të ditur ish-menaxheri i tij.
“Fatkeqësisht, është e vërtetë. Mark ka vdekur pas një sëmundje të shkurtë, nga e cila nuk arriti të shërohej ka thënë Keith Aspden.
“Talk Talk” ka qenë grup i famshëm i viteve të tetëdhjeta, ndërsa suksesin më të madh e ka arritur me këngët, si “It’s My Life” e “Such a Shame”.
Pas lansimit të një albumi solo në vitin 1998, Hollis e braktisi muzikën dhe vendosi të tërhiqej nga syri publik.
“E kam zgjedhur familje. Ndoshta të tjetër mund të shkojnë edhe nëpër turne, edhe të bëhen prindër të mirë në të njëjtën kohë, por unë nuk mund ta bëj këtë”, kishte thënë asokohe Hollis.
Ish-menaxheri i tij, Keith Aspden, ka thënë për BBC se akoma nuk mund ta pranojë se ish-kolegu i tij ka ndërruar jetë.
“Nuk mund t’jua përshkruaj se sa ka ndikuar Mark dhe sa e ka ndryshuar botëkuptimin tim për artin dhe muzikën. Jam falënderues për kohën që e kam kaluar me të dhe për disa çaste të bukura që vendosi t’i ndante me ne”, ka thënë Aspden. /Telegrafi/