“Më dhunuan dhe ofenduan”, arrestohet aktori i famshëm për kallzim të rremë
Aktori amerikan Jussie Smollett është arrestuar në Çikago pasi u akuzua për një kallzim të rremë.
Ylli i Empire denoncoi në polici se ishte viktimë e një sulmi homofobik dhe racist nga dy burra në janar.
Por policia dyshon se aktori pagoi dy vëllezër nigeriane për ta dhunuar.
Ata po bashkëpunojnë me policinë, raporton BBC.
Avokatët e aktorit ende nuk kanë komentuar lajmin.
Dyshimi mbi sulmin e pretenduar nga aktorit filloi pasi policia nuk arriti të gjente ndonjë pamje të ngjarjes së raportuar nga kamerat e sigurisë. Gjithashtu nuk pati asnjë dëshmitar.
Hetuesit vunë re në kamera dy burra, Ola dhe Abel Osundairo, jo shumë larg nga vendi ku aktori tha se ishte sulmuar.
Një nga vëllezërit është trajner personal i Smollett dhe të dy kanë punuar në filmin Empire.
Smollet u arrestua të enjten dhe ndodhet në paraburgim në Çikago.
Aktori, i cili është homoseksual, tha se kishte dalë për të blerë ushqim gjatë orëve të vona të natës në qendër të Çikagos, kur dy burra të bardhë hodhën ofendime racore dhe homofobike ndaj tij.
Ai shtoi se burrat e dhunuan dhe hodhën substancë kimike mbi tëm si edhe i vendosën një litar rreth qafës.