Ndërron jetë aktori Bruno Ganz, i njohur për rolin e Hitlerit në filmin “Downfall”

  
  

Një prej aktorëve më të njohur zviceranë, Bruno Ganz, ka ndërruar jetë në moshën 77 vjeçare. Njoftimin për vdekjen e ka bërë menaxheri i tij.  

Gjatë karrierës së tij pesëdhjetëvjeçare, Ganz ka luajtur në shumë filma dhe në shfaqje teatrale, për të cilët ka marrë çmime të shumta.

Ai u bë i njohur më së shumti falë rolit të Adolf Hitler në filmin e nominuar për Oscar, “Downfall” (2004).

Njëherësh, aktori ka luajtur edhe në shumë filma ndërkombëtarë, si “The Boys From Brazil” (1978), “Strapless” (1989), “The Manchurian Candidate” (2004), “The Reader” (2008), “Unknown” (2011) dhe “Remember” (2015).

Krahas ekranit, ai është vlerësuar shumë edhe për interpretimet e tij në skenën e teatrit duke u konsideruar si një nga më të mëdhenjtë në profesionin e tij.

  

Bruno Ganz ishte i njohur si aktor teatri dhe filmi (Foto: Hannes Magerstaedt/Getty Images/Guliver)

  

Nga viti 1996 deri në vdekjen e tij (2019), Ganz e ka mbajtur ‘Unazën-Iffland’ të Republikës së Austrisë që e vlerëson aktorin më të rëndësishëm dhe më të vlefshëm gjermanfolës në teatër.

Unaza e diamantit mban fotografinë e aktorit, dramaturgut dhe regjisorit teatral, August Wilhelm Iffland, ndërsa bartet nga një aktor te tjetri. /Telegrafi/