Ironia e Enkel Demit: Në Shqipëri kemi të marrë pafund që mendojnë të përdredhin fatet tona

  

Enkel Demi i ftuar në emisionin Tempora në Ora News zbuloi dëshirën e tij më të madhe.

Gazetari u shpreh se e vetmja gjë që dëshiron është që fëmijët e tij tu japin për të lexuar fëmijëve të tyre librat e Enkelit.

Sonila Meço:
Si do të dojë të mbaheshe mend pas shumë viteve? Si Keli që bëri…?

Enkel Demi: Do ëndërroja, do emocionohesha nëse fëmijët e mi kur të bëjnë fëmijët e tyre ti japin librat e mi. Dhe kaq do mjaftonte sepse gjithsecili nga ne e shkruan historinë brenda katër mureve të shtëpisë sonë. Edhe ata që nuk janë martuar e shkruajnë tek familja e tyre ose tek njerëzit më intimë. Kur thuhet që kam dëshirë të lë emrin e mirë, unë dua t’ia lë fëmijëve. Nëse e bën këtë je krejtësisht në rregull.

Ndërsa shtoi se nuk është në kërkim të lavdisë sepse ajo të ‘marros’. Dhe sipas moderatorit në Shqipëri janë pafund të marrosur.

Enkel Demi: “Në letërsi nuk pres asnjë çmim. Jam tërhequr nga çdo çmim dhe e kam bërë me ndërgjegje këtë. Nuk do marr pjesë në asnjë konkurs që zhvillohet këtu për një arsye të thjeshtë. Sepse nuk shkruaj letërsi për tu vlerësuar, më mjaftojnë disa njerëz që e lexojnë. Nuk dua të shkoj përtej kësaj. Jam fatlum me kaq. Gjërat e tjera janë relative.

E di shumë mirë që nuk kërkoj lavdi. Ndonjëherë ata që kërkojnë lavdinë marrosen. Dhe shyqyr Zotit në Shqipëri kemi të marrë pafund të cilët mendojnë se janë shumë të mençur. Të marrë pafund që kanë fatet tona dhe mendojë që do ia dalin mbanë dhe ti përdredhin fatet tona. Ndaj unë nuk dua të jem në radhën e askujt sepse nuk dua të kem fatet e askujt në dorë përveç fatit tim.”