Gold AG i dedikon sërish këngë dëshmorëve të UÇK-së, publikon “Emrin e ka luftë”

  

Reperi Gold AG ka publikuar një tjetër këngë, e cila është sërish homazh për dëshmorët e UÇK-së gjatë luftës në Kosovë.

Projekti i ri muzikor titullohet “Emrin e ka luftë” dhe vjen në bashkëpunim me këngëtarin popullor Ismet Bexheti.

Teksti i punuar nga vetë artisti ka doza patriotike që i dedikohet kryesisht dëshmorit Bedri Maloku, i cili shkoi vullnetar në luftën e Kosovës dhe ra dëshmor për lirinë e saj.

Në këngë përmendet edhe betimi i Bedriut me djalin e axhës, Esetin për të cuar në fund amanetet e legjendarëve, Zahir Pajaziti, Adem Jashari, Fehmi Lladrofci e shumë e shumë të tjerëve.

Bedriu dhe Eseti ranë në mbrojtje të popullatës civile më 29 prill 1999 tek vendi i quajtur “Livadhi i madh” te pishat e Bardhashit. Në këtë betejë qenë plagosur edhe rreth 20 luftëtarë. Bedriu pas vetës la familjen e ngushtë: nënën Ajshe, bashkëshorten Fetien me fëmijët: Evgjenien, Shkurtën, Flamurin, Liridonën, Valonin, dy vëllezërit Mehmetin, Sabitin dhe dy motrat Hyrën e Nafien.