Skandali me shkollat, Huffman pranon fajin: Ndjehem e turpëruar

  

Aktorja amerikane Felicity Huffman ka vendosur të pranojë fajin për mashtrim në skandalin e pranimeve në Universitetet elitare. Ylli i serialit “Shtëpiake të Deshpëruara” është shprehur se vajza nuk kishte dijeni për veprimet e saj dhe se ndjehet e turpëruar që ka tradhtuar besimin e saj. 

Ajo akuzohet se ka paguar 15.000 $ në mënyrë që vajza e saj ta kalonte provimin pranues në një kolegj prestigjioz, në vitin 2017.

“Me keqardhje të thellë dhe turp për atë që kam bërë, unë pranoj përgjegjësinë e plotë për veprimet e mia dhe pasojat që rrjedhin nga ato veprime. Më vjen turp për dhimbjen që I kam shkaktuar vajzës time, familjes time, miqve dhe kolegëve të mi.  Unë dua t’u kërkoj falje atyre studentëve që punojnë shumë çdo ditë për të hyrë në kolegj dhe prindërve të tyre që bëjnë sakrifica të jashtëzakonshme për të mbështetur fëmijët e tyre me ndershmëri”, u shpreh aktorja.

56-vjeçarja është një nga 14 të akuzuarit që ka vendosur të pranojë fajin midis 50 të akuzuarve, përfshirë këtu trajnerë dhe administratori i një universiteti të akuzuar në një skemë mashtruese për pranimet në disa prej kolegjeve më të famshëm të SHBA. Ata kishin paguar një person me emrin William Rick Singer për të organizuar provime të rreme, kredenciale të rreme dhe arritje të rreme në sporte për fëmijët e tyre.

Felicity Huffman, aktorja Lori Laughlin dhe të tjerët janë akuzuar për komplot për të kryer mashtrime që me ligjin amerikan, dënimi shkon deri në 20 vjet burg.