Aktuale

A po mbyllet një kapitull i padrejtë për Kosovën në Europë?

Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se në muajin janar do të nisë heqjen graduale të sanksioneve ndaj Kosovës.

Sanksionet janë vendosur në verën e vitit 2023, pasi Prishtina zyrtare ka zbatuar rezultatet e zgjedhjeve të kontestuara në veriun e banuar me shumicë serbe, pavarësisht paralajmërimeve nga Brukseli.

Por, çka realisht mund të pritet pas largimit të këtyre sanksioneve për “Bota sot” foli opinionisti Gani Mehmeti.

Fillimisht, potencoi se këto masa ishin të padrejta, duke theksuar edhe faktin se gjatë kohës kur u vendosën ato ndërmjetësues në negociata ishin diplomatët nga shtetet që nuk e njohin Kosovën.

“Ka disa kohë që BE ka premtuar se do të heqë masat e vëna padrejtësisht ndaj Kosovës. Ne e kemi thënë vazhdimisht se këto masa ndaj Kosovës janë vënë padrejtësisht, dhe e mbajmë këtë qëndrim. Ne dimë se kush ishin “ndërmjetësuesit” e BE-së për bisedime mes Kosovës dhe Serbisë deri para një viti. Ata ishin një spanjoll dhe një sllovak. Që të dy vinin nga dy shtete që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës dhe që të dy këta, përfaqësonin shtetet e tyre më shumë sesa BE-në, derisa ishin pro Serbisë. Shih për këtë, edhe pse ushtarët e KFOR-it u rrahën e u plagosën në maj tzë vitit 2023 nga sulmet e kriminelëve serbë, masat iu vunë Kosovës e jo Serbisë, dhe ne edhe sot e kësaj dite, si çdo herë më parë, themi se masat ndaj Kosovës qenë vendosur gabimisht, në vend se t’i veheshin Serbisë”.

ImageGani Mehmeti.Mirëpo, Mehmeti theksoi se tani ndërmjetësuesit janë nga shtete që e kanë njohur Kosovën, por që duhet të arsyetohen se pse duhet larguar masat.

Krahas kësaj, ai shpreson që sa më shpejt të hiqen të gjitha këto masa të padrejta.

“Sot ndërmjetësuesit janë ndërruar dhe vijnë nga shtete që e kanë njohur Republikën e Kosovës. Edhe këta, tani nuk e kanë lehtë për të vepruar. Jo, sepse duhet të arsyetojnë se gjoja janë plotësuar kushtet nga Kosova për heqjen e masave. Megjithatë, premtimet kanë ndodhur se gjatë janarit do të heqen disa nga masat e vëna. Urojmë që sa më shpejt të heqen të gjitha masat ndaj Kosovës.

Tani, se cilat masa do të largohen së pari, mbetet të shihet, por gjithsesi, do të largohen masat financiare dhe pritet të lirohen e të paguhen ato që janë përcaktuar nga Bashkimi Europian, të cilat ende nuk janë paguar për shkak të kushteve politike, se nuk kishte qeveri në Republikën e Kosovës”, nënvizoi ai.

Më tej, opinionisti u shpreh se Kosova pa masa do jetë e barabartë me të gjithë shtetet e tjera, e që do ndikojnë në shumë aspkete.

“Për këtë, edhe pritjet për Kosovën në këtë fazë të re janë lirimi financiar që vie nga Bashkimi Europian. Lirimi nga këto masa do të ndikojë në fushën politike, ekonomike po edhe diplomatike. Politike e diplomatike se BE-ja nuk do të ketë “arsyetim” për integrim të Kosovës, se ajo ka masa nga vetë BE. Pa masa, Kosova do të jetë shtet real dhe i barabartë me të gjitha shtetet tjera edhe deri sa nuk është brenda BE-së.

Ndërkaq, ndikimi ekonomik dihet mirë se do të ndihmohet në fusha të ndryshme zhvillimi i saj nga financimi i Bashikimit Europian”.

Në fund, ai shtoi se, tani është hapur rruga për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

“Heqja e masave do i hapë rrugën Kosovës në anëtarësimin e organizatave europiane dhe ndërkombëtare, duke filluar nga pranimi i saj në Këshillit e Europës e pastaj me radhë në organizata të tjera, e them deri edhe në anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara”, përmbylli Gani Mehmeti për “Bota sot”.

Të Ngjashme