Abdixhiku sfidon veten dhe hap garën në LDK

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se do ta ofrojë dorëheqjen e tij para anëtarësisë dhe Kuvendit të partisë, duke e quajtur këtë një obligim moral, njerëzor dhe politik pas zgjedhjeve.

Ai theksoi se nuk po ikën nga përgjegjësia, por po përballet me të, duke kërkuar që organet më të larta të LDK-së të vendosin në mënyrë demokratike për fatin e tij dhe për rrugëtimin e ardhshëm të partisë.

Abdixhiku paralajmëroi mbledhjen e Kryesisë dhe më pas të Kuvendit të LDK-së, duke shtuar se do ta respektojë çdo vendim të anëtarësisë me qetësi dhe dinjitet.

Postimi i plotë:

Para shtëpisë sonë, anëtarësisë tonë; me transparencë të plotë.

Ishte një takim joformal, konsultativ me nënkryetarët e LDK-së, por me interesim të jashtëzakonshëm publik, për çka i falënderoj sinqerisht mediat e Kosovës.

Siç kam deklaruar në konferencën për shtyp natën e zgjedhjeve, e kam për obligim moral, njerëzor dhe politik t’ia ofroj dorëheqjen time anëtarësisë së LDK-së, përkatësisht Kuvendit tonë. Nuk e bëj këtë për të ikur nga përgjegjësia, por për t’u përballur me të. Sepse përgjegjësia nuk bartet me justifikime, por me guxim për t’u vënë përpara gjykimit të njerëzve të tu.

Kuvendi, si organi më i lartë i partisë, le të vendosë me dinjitet demokratik jo vetëm për fatin e kryetarit dhe timin personal, por edhe për rrugëtimin e ardhshëm të LDK-së.

Ju falënderoj nga zemra për të gjitha mesazhet e marra, një nga një, që nga nata e zgjedhjeve e deri sot, dhe për kërkesat e shumta për mosdorëheqje. Secili prej tyre më ka prekur. Më ka kujtuar sa shumë njerëz kanë besuar, kanë punuar dhe kanë sakrifikuar për këtë shtëpi politike. Dhe pikërisht për ta, nuk kam të drejtë as të fshihem, as të mbrohem pas askujt tjetër. Kam vetëm detyrimin të dal përpara. Sepse mbi çdo ndjenjë personale qëndron përgjegjësia ndaj anëtarësisë dhe ndaj institucionit që përfaqësojmë. Le të vendosë anëtarësia jonë. Kjo është mënyra më e ndershme dhe më e drejtë.

Në këtë proces, nuk jam as i pagabueshëm, as i përsosur. Kam bërë gjithçka që kam ditur e kam mundur për LDK-në. Disa beteja i fituam, disa i humbëm. Por asnjëherë nuk kam punuar për veten time më shumë sesa për këtë parti.

Në këtë kohë, secili që ka ambicie, vullnet dhe aftësi, le ta kërkojë hapur mbështetjen e anëtarësisë sonë. Demokracia nuk është rehati; është guxim për të hyrë në garë, edhe kur është e vështirë.

Fillimisht do ta mbledhim Kryesinë, në një takim zyrtar. Më pas edhe Kuvendin. Dhe çfarëdo që të vendosë anëtarësia, unë do ta respektoj me qetësi dhe dinjitet, sepse mbi çdo emër, mbi çdo funksion, qëndron LDK-ja dhe besimi i njerëzve të saj.