Ambasada amerikane përkujton viktimat e masakrës së Reçakut

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka bërë të ditur se, sot, ushtruesi i detyrës së zëvendësshefit të misionit (DCM), Josh Peterson, iu bashkua udhëheqësve, institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës në përkujtimin e viktimave të masakrës së Reçakut.
Në njoftimin e Ambasadës thuhet se masakra e Reçakut ishte një akt tmerri i papërshkruar që tronditi botën. Po ashtu, theksohet se kujtimi i viktimave shërben si një kujtesë e detyrës së përbashkët për të mbrojtur të vërtetën dhe dinjitetin, si dhe si një thirrje për të mos harruar kurrë atë që bota dëshmoi.
Kujtojmë se sot Kosova shënon sot 27-vjetorin e Masakrës së Reçakut, ku më 15 janar 1999, në këtë fshat forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë. Me këtë rast do të organizohen aktivitete përkujtimore me rastin e 27-vjetorit të Masakrës së Reçakut.
Më 15 janar 1999, forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë në fshatin Reçak të Shtimes. Deklarata publike e Walkerit, i cili e cilësoi ngjarjen si masakër ndaj civilëve, tronditi bashkësinë ndërkombëtare dhe shënoi një pikë kthese në angazhimin ndërkombëtar për Kosovën.
Pas Reçakut, u intensifikuan përpjekjet diplomatike që çuan drejt Konferencës së Rambujesë (Francë) dhe më pas ndërhyrjes së NATO-s, duke hapur rrugën drejt çlirimit të Kosovës. Masakra e Reçakut mbetet simbol i vuajtjeve të popullit të Kosovës dhe një dëshmi e rëndësisë së së vërtetës dhe drejtësisë.