Apeli vërteton dënimin me 5 vjet e 6 muaj burgim dhe 3 mijë euro gjobë ndaj të akuzuarit për trafikim me njerëz

Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila më 24 korrik 2025 e kishte dënuar Dodë Ricën me 5 vjet e 6 muaj burgim si dhe me 3 mijë euro gjobë për trafikim me njerëz.
Ankesë ndaj vendimit të Themelores kishte paraqitur Prokuroria Themelore në Prishtinë për shkak të vendimit mbi dënimin, duke kërkuar dënim më të ashpër ndaj Ricës, kurse mbrojtësi i Ricës, kurse avokati Haxhi Millaku për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkeljes së Ligjit Penal dhe vendimit mbi dënimin, duke kërkuar rigjykim ose lirim nga akuza, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Gjithashtu, ankesë kishte parashtruar edhe personalisht i akuzuari Rica për të njëjtat baza ligjore sikurse ankesa e paraqitur nga avokati i tij.
Prokuroria Apelit përmes parashtesës ka propozuar që ankesa e Prokurorisë Themelore të aprovohet, ndërkaq ankesa e mbrojtësit Millaku të refuzohet si e pabazuar.
Në vendimin e Apelit, thuhet se qasja e Themelores ndaj fakteve vendimtare ka qenë e drejtë dhe e ligjshme, asnjë fakt nuk ka mbetur i dyshimtë ose i pavërtetuar dhe përveç që janë vërtetuar drejt ato, edhe janë arsyetuar në mënyrë të plotë dhe të saktë.
Kështu sipas Apelit, në rastin konkret, gjykata e shkallës së parë, ka dhënë arsye të qarta për vendin, kohën, mënyrën e kryerjes së veprës penale, dhe po ashtu, edhe për mënyrën se si ka ardhur deri te kryerja e veprës penale nga i akuzuari Dodë Rica.
Gjithnjë sipas vendimit të Apelit, përveç konstatimit se kemi të bëjmë me veprën penale të trafikimit me njerëz, nga deklarata e dëshmitarëve, gjykata ka ardhë në këtë përfundim bazuar edhe në raportet e policisë, ku njëra nga të dëmtuarat ka lajmëruar anëtarët e familjes së saj në vendin e saj të origjinës. Pastaj, fakti se si policia e atij vendi ka kërkuar informata nga Policia e Kosovës, duke shënuar kështu fillimin e hetimit dhe vëzhgimit të të akuzuarve- përfshirë vendin ku kanë punuar të dëmtuarat.
Lidhur me pretendimet e Prokurorisë se i është shqiptuar dënim i butë Ricës, sipas Apelit, këto pretendime nuk qëndrojnë pasi që pretendimet për rrethanat rënduese të theksuara në ankesën e Prokurorisë lidhen me elemente të veprës penale dhe jo me rrethana rënduese. Në këtë rast, e akuzuar është edhe Ana Gjoshi, por gjykata ka veçuar procedurën penale ndaj saj, pasi që e njëjta gjendet në arrati.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 19 shkurt 2025, Dodë Rica dhe Ana Gjoshi akuzohen se nga fillimi i muajit prill 2024 e në vazhdimësi, me qëllim të përfitimit pasuror, përmes rekrutimit, transferimit, strehimit dhe shfrytëzimit të viktimave, duke përdorur mashtrim, kërcënime, forcë, falsifikim dhe keqpërdorim të pushtetit për të arritur kontrollin dhe për të shfrytëzuar viktimat në mënyra të ndryshme, përfshirë edhe shfrytëzimin seksual janë marrë me trafikimin me njerëz.
Në aktakuzë thuhet se duke shfrytëzuar një lokal, i pandehuri Dodë Rica si pronar i biznesit ndërsa e pandehura Ana Gjoshi si menaxhere, duke bashkëvepruar me njëri-tjertrin, e pandehura Gjoshi fillimisht siguron kontaktin ndërmjet rrjeteve sociale me pesë viktimat gra, të cilat janë nga shtete të ndryshme, e më pas i akuzuari Rica si pronar i klubit u dërgon ftesa viktimave për punë, për pushime në Shqipëri.
Pastaj, aktakuza thotë se të akuzuarit kujdesen për organizimin e biletave të udhëtimit, transportit me taksi dhe autobusë, duke i mashtruar viktimat dhe duke i dërguar në Prishtinë, në një klub, me ç’rast e pandehura Gjoshi duke i manipuluar, ua merr pasaportat viktimave dhe i dërgon në ambient në të cilin vendosin kamera për monitorimin e vazhdueshëm të viktimave me qëllim të kontrollit të tyre dhe kufizimit të lirisë së lëvizjes dhe përcaktimit të orarit se kur do të dalin nga shtëpia.
Sipas aktakuzës, me anë të këtyre masave të akuzuarit në bashkëveprim i kanë manipuluar dhe shfrytëzuar viktimat, duke i detyruar të zhvishen pa dëshirën e tyre dhe duke i detyruar të shkojnë tek klientët në dhomat VIP dhe të kryejnë marrëdhënie seksuale.
Me çka, në bashkëkryerje akuzohen se kanë kryer veprën penale “Trafikim me njerëz” nga neni 165, par.1 lidhur me nenin 31 dhe nenin 77 të Kodit Penal.
Ndryshe, i akuzuari Dodë Rica është i akuzuar edhe në një rast tjetër, ku ngarkohet për “Shmangie nga tatimi”.