Blerim Gashi: Reçaku, dëshmi e gjenocidit ndaj shqiptarëve – Lavdi dëshmorëve dhe viktimave civile

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Blerim Gashi, ka thënë se masakra e Reçakut përbën njërën nga ngjarjet më të dhimbshme dhe më të përgjakshme të historisë së Kosovës, duke e cilësuar atë si gjenocid të kryer ndaj popullit shqiptar.
Sipas tij, liria dhe pavarësia që Kosova gëzon sot janë rezultat i sakrificës së gjeneratave të tëra, të luftëtarëve të lirisë dhe viktimave civile.
“Viktimat civile dhe martirët, luftëtarët e lirisë, për këtë liri që ne po e gëzojmë, natyrisht që janë temeli i krejt kësaj demokracie e kësaj lirie”, tha ai.
Gashi theksoi se Reçaku përfaqëson kulmin e krimeve të kryera nga regjimi serb në Kosovë. Edhe pse një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare, siç tha ai, për shkak të formaliteteve nuk e ka njohur zyrtarisht si gjenocid, deputeti u shpreh se “gjenocid po që është”. Ai kujtoi edhe rolin e ambasadorit William Walker në dokumentimin e krimeve të kryera në Reçak, duke e vlerësuar si mik të shqiptarëve dhe të Kosovës.
Më tej, Gashi tha se përveç përkujtimit, duhet të bëhet institucionalizimi i kujtesës përmes simboleve dhe memorialeve që përfaqësojnë format e dhunës së ushtruar ndaj popullit të Kosovës.
Në fund të deklaratës së tij, ai u përkul me respekt para të rënëve: “Lavdi heronjve, luftëtarëve të lirisë, lavdi viktimave dhe martirëve, viktimave civile.”