“Dorëheqja e Abdixhikut, manipulim dhe farsë politike” – paralajmërim i Salihajt

Lumir Abdixhiku ka thënë se do të ofrojë dorëheqjen nga kryetari i LDK-së në Kuvendin e Përgjithshëm të partisë, pas rezultatit të dobët në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Megjithatë, ai ka thënë se nëse delegatët e LDK-së e refuzojnë dorëheqjen ai do të vazhdojë të qëndrojë në krye të LDK-së.

Realisht, çfarë nënkupton kjo?

Lidhur me këtë, ish-deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, ka folur për “Bota sot”.

Ai ka kritikuar ashpër veprimet e Lumir Abdixhikut, duke thënë se vendosja e dorëheqjes në votim në Kuvend është e paprecedentë dhe në kundërshtim me parimet politike.

Sipas tij, dorëheqja është akt moral personal dhe jo çështje votimi, ndërsa veprimi i Abdixhikut përbën manipulim dhe hipokrizi.

Salihaj e cilëson këtë proces si farsë, me qëllim mbajtjen e postit të kryetarit, duke paralajmëruar se LDK rrezikon të bjerë edhe më tej përtej 13 për qind.

“Lumir Abdixhiku po bën diçka që nuk ka bërë askush deri më tash, po e qet kandidaturën e dorëheqjes në votim në Kuvend. Kjo nuk është dëgjuar asnjëherë deri më tash. Dorëheqja as nuk aprovohet, as nuk refuzohet, ajo është akt moral personal për ta treguar përgjegjësinë për situatën, në të cilën u soll LDK-ja pas zgjedhjeve të fundit.

Pra, Lumiri po shpik forma të reja manipulimi me dorëheqjen, për të mos u dorëhequr. Ky veprim është shumë hipokrit. Në fakt kjo është një formë e re për ta manipuluar dhe mashtruar edhe Kuvendin, edhe elektoratin e LDK-së. Është një farsë. Qëllimi i gjithë kësaj është që ai, me gjithë faktin se e ka risjellë LDK-në në 13 %, të mos largohet nga pozita e kryetarit. Është shumë reale mundësia që LDK me qëndrimin e Lumir Abdixhikut si kryetar i saj, të bie edhe më poshtë” – thotë Salihaj.

Në fund, Salihaj vlerëson se Lumir Abdixhiku është i kapur fort pas pozitës së kryetarit dhe po përdor, sipas tij, manipulime për të krijuar përshtypjen se ka ofruar dorëheqje, por po “detyrohet” të qëndrojë.

Ai thekson se mbetet të shihet nëse Kuvendi i LDK-së do ta pranojë këtë qasje, duke paralajmëruar se Abdixhiku mund ta çojë partinë drejt shuarjes.

Nga kjo që po shohim, Lumir Abdixhiku, jo vetëm që është i dashuruar në veten e tij, por ai është aq i dashuruar në pozitën e kryetarit, sa që atë është vështirë ta largojnë nga kjo pozitë. Pra, ai po shpik makinacione për t’i mashtruar të gjithë se, ja, unë ofrova dorëheqje, por po më detyrojnë të rri, sepse nuk ka më të mirë se unë dhe se unë nuk mund ta braktis partinë në kohët e vështira. Kjo është logjika e tij. A do ta hajë Kuvendi i LDK-së këtë mashtrim të Lumirit, kjo mbetet për t’u parë. Por, nuk duhet përjashtuar aspak këtë mundësi. Lumir Abdixhiku ka vendosur që ta sjellë LDK-në deri te shuarja. Ka mundësi që ta ketë këtë edhe mision” – përfundon ai për “Bota sot”.