Drejtori i AKI-së viziton KOSTT-in

U.d. i kryeshefit ekzekutiv të KOSTT-it, z. Shaban Neziri, priti sot në takim drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), z. Petrit Ajeti.

Gjatë takimit u diskutua për rëndësinë strategjike të sektorit energjetik, infrastrukturën kritike të KOSTT-it, planet zhvillimore, si edhe për çështjet e sigurisë shtetërore që lidhen me mbrojtjen dhe funksionimin e qëndrueshëm të infrastrukturës vitale.

Në kuadër të vizitës, u prezantua nga afër puna dhe roli i KOSTT-it për sigurinë e sistemit elektroenergjetik, si edhe masat dhe kapacitetet që kontribuojnë në stabilitetin dhe besueshmërinë e rrjetit.

Takimi u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit institucional për identifikimin dhe adresimin e rreziqeve që mund të prekin sigurinë e Kosovës, me fokus të veçantë te kërcënimet ndaj infrastrukturës vitale.

Në këtë kontekst, u theksua rëndësia e parandalimit dhe trajtimit të rreziqeve të sabotimit dhe cenimeve të sigurisë që mund të ndikojnë në funksionimin e sistemit elektroenergjetik.

KOSTT-i vlerëson se bashkëpunimi ndërinstitucional është thelbësor për shkëmbimin e informatave, koordinimin e masave parandaluese dhe forcimin e mekanizmave mbrojtës të infrastrukturës kritike, duke siguruar reagim të koordinuar dhe qëndrueshmëri më të lartë përballë sfidave të sigurisë.

KOSTT-i e vlerëson lart këtë vizitë si dëshmi e angazhimit të përbashkët për forcimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë së infrastrukturës energjetike në Republikën e Kosovës.