Ekspertë evropianë në Kosovë, pse antimikrobikët janë në fokus?

Komisioni Evropian po mbështet Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) në forcimin e programeve për gjurmimin dhe kontrollin e sëmundjeve të kafshëve, si dhe në përafrimin me Kapitullin 12 të acquis të Bashkimit Evropian.
Në kuadër të projektit “Mbështetja për forcimin e programeve të gjurmimit dhe kontrollit të sëmundjeve të kafshëve dhe përafrimi me Kapitullin 12 të acquis”, të financuar nga Komisioni Evropian, AUV ka organizuar punëtori në tri qendra kryesore të Kosovës.
Në këto punëtori morën pjesë mbi 90 veterinarë privatë dhe zyrtarë të AUV-së, ndërsa ato u udhëhoqën nga ekspertë evropianë dhe përfaqësues të agjencisë. Fokusi ishte në përdorimin e përgjegjshëm dhe menaxhimin e antimikrobikëve, luftën kundër rezistencës antimikrobike (AMR), mbikëqyrjen dhe mbledhjen e të dhënave, si dhe ndarjen e praktikave më të mira në këtë fushë.
Sipas AUV-së, këto aktivitete kontribuojnë në forcimin e kapaciteteve profesionale, rritjen e ndërgjegjësimit për rreziqet e AMR-së dhe avancimin e përafrimit të Kosovës me standardet dhe praktikat e Bashkimit Evropian në sektorin e shëndetit të kafshëve.