Fetoshi: Ofesiva e re e propagandës serbe me “incidentet ndëretnike”

Drejtori i Institutit Octopus, Arben Fetoshi, ka paralajmëruar për një ofensivë të koordinuar propagandistike të Serbisë, e cila, sipas tij, paraqet rrezik serioz për stabilitetin dhe sigurinë në Kosovë.
Fetoshi ka theksuar se Serbia po e kornizon çdo incident në Kosovë si sulm etnik ndaj serbëve, duke ndërtuar një narrativë të rrezikshme të “viktimizimit”, e cila synon të paraqesë shqiptarët si agresorë dhe institucionet e Kosovës si burim dhune.
“Një ofensivë propagande e Serbisë që duhet të merret si alarm nga institucionet e Kosovës dhe komuniteti ndërkombëtar, për shkak të prapavijës së rrezikshme të ‘viktimizimit’”, ka shkruar Fetoshi.
Sipas tij, përmes narrativave si “valë e histerisë anti-serbe”, “sulm etnik” dhe “dhunë e falangave të Kurtit”, Serbia po përpiqet të legjitimojë ndërhyrjen e saj në Kosovë, duke pretenduar se ndërkombëtarët po heshtin përballë këtyre zhvillimeve.
Ai ka shtuar se kjo strategji synon jo vetëm kriminalizimin e Kosovës, por edhe nxitjen e tensioneve etnike dhe krijimin e një preteksti për ndërhyrje, ndërkohë që mediave u furnizohen “burime dhe deklarata” të harmonizuara me këtë narrativë propagandistike.
“Ky agresivitet i koordinuar propagandistik i Serbisë duhet të trajtohet si kërcënim serioz, veçanërisht në kontekstin e ‘rrethimit ndërkombëtar’ që ajo po përjeton kohët e fundit”, ka theksuar Fetoshi.
Në përfundim, ai vlerëson se Serbia po e përdor ‘viktimizimin’ si instrument nxitës dhe si paravan për ndërhyrje, duke e bërë të domosdoshëm reagimin e institucioneve të Kosovës dhe vëmendjen e shtuar të bashkësisë ndërkombëtare.