“Godet” Idriz Zeqiraj: Këto dy figura e mbajtën peng LDK-në

Deklarata e Besian Mustafës se LDK gaboi rëndë kur votoi Hashim Thaçin për president ka nxitur reagime.
Ganimete Musliu ka kundërshtuar, duke thënë se gabimi i vërtetë i LDK-së nuk ishte Thaçi, por heshtja, frika dhe mungesa e guximit politik.
Publicisti Idriz Zeqiraj, për “Bota sot”, ka folur për këtë çështje gjerë e gjatë.
Ai ka thënë se votimi i Hashim Thaçit për president nga LDK ishte jo vetëm “gabim trashanik”, por faj dhe krim i lidershipit të atëhershëm.
Ai thekson se kjo u bë në kundërshtim me porositë e Presidentit Ibrahim Rugova, duke shtuar akuza të rënda për sabotim të luftës dhe rol negativ të figurave kyçe të asaj kohe, çka sipas tij ka dëmtuar rëndë LDK-në dhe shtetin e Kosovës.
“LDK-ja bëri gabimin trashanik kur votoi Hashim Thaçin për president dhe LDK-ja duhet me qenë e vetëdijshme për të gjitha veprimet”,- deklaroi, së fundi, Besian Mustafa, në cilësinë e zëdhënësit të LDK-së. Është i pari nga pozita partiake i rangut të lartë që pranon “gabimin trashanik të LDK-së”! Ai e zbut në “gabim”, por, realisht, ky është faj, krim i lidershipit të atëhershëm, i cili ka shpërfillur anëtarësinë, elektoratin, popullin, shqiptarët!
Doza e fajësisë, krimit shtohet, sepse Presidenti Rugova kishte paralajmëruar, se “Hashimi nuk duhet të lejohet të ngritet në poste të larta, se është i dëmshëm për Kosovën”. Ai kishte informacionin e saktë të rekrutimit të Hashim Thaçit agjent të Francës, njëherësh edhe i Serbisë. Rekrutimin e bëri zyrtari Shërbimit francez, DGSE, Arnaud Danjean, dhëndër i Serbisë, në saje të një dosje shantazhuese për krime lufte dhe të pas luftës, përgjatë mësimit të gjuhës gjermane në Zyrih të Zvicrës. Këtë e konfirmon drejtori i Shërbimit Qendror të Francës, Pierre Siramy.
Kjo është edhe arsyeja që Presidenti Rugova nuk e pranoi Hashim Thaçin për kryeministër, madje as ministër, në Qeverinë e parë legale të pasluftës. Dhe, porosia në gjallje të Dr. Rugovës, duhej t`i shërbente LDK-së si -amanet- pas shuarjes së Tij.
“Isa Mustafën e katapultoi në krye të LDK-së Hashim Thaçi me SHIK-un e tij”, – thonë pikërisht ata që, paraprakisht, e kalaveshën me poste Isa Mustafën. Bërja president e Hashim Thaçit, edhe pas zbulimit se ai ishte agjent i trefishtë: Francës, i Serbisë dhe i Tiranës zyrtare social-komuniste, përbën një krim të rëndë shtetëror. Personalisht, me nipa dhe 18 punëtorët e Firmës tonë “Etniku”, kemi qenë të ngarkuar me pritjen dhe akomodimin e refugjatëve, ikanakëve të luftës nga Kosova në Shqipëri.
Pastaj, me furnizimin me bazën materiale dhe të pajisur me licencën e transportit të armatimit për ushtrinë, kemi hasur në pengesa, deri në pagesat të haraçit, arrestime dhe gjuajtje me armë nga uniformat zyrtare shqiptare. Pra, ishte një sabotim i luftës, i koordinuar nga LPK-ja dhe zyrtarët e lartë shqiptarë. Ishte ndërhyrja amerikane që urdhëroi lejimin e marrjes të armëve pa pagesë, me kusht kompensimi nga pala amerikane. Por, haraçi kriminal i eksponentëve të LPK-së ka vazhduar edhe pas kësaj marrëveshje.
Të paktën 4(katër) anëtarë të Kryesisë të LPK-së, pretendues të themelimit të UÇK-së të LPK-së, akuzojnë se “edhe pse e themeluam UÇK-në, nuk arritëm kurrë ta fusim në luftë në Kosovë. Sabotimin e luftës e bënë: Hashim Thaçi, Azem Syla, Xhavit Haliti, Kadri Veseli, renditja sipas posteve që kishin në SHP të UÇK-së“, thotë ai.
Sipas Idriz Zeqirajt, Besian Mustafa e njeh mirë ish-kryetarin Isa Mustafa, i cili sipas tij ka mbajtur peng LDK-në dhe ka kundërshtuar rizgjedhjen e Vjosa Osmanit. Ai akuzon planifikim të riciklimit të Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës në poste të larta, servilizëm dhe degradim të partisë, duke kujtuar edhe të shkuarën e dyshuar të Thaçit si agjent dhe ndikimin e tij mbi LDK-në.
“Vërtet, është i ri Besian Mustafa, por ai e njeh mirë ish-kryetarin, Isa Mustafa, i cili, me deklarimet e tij “akademike”, vazhdon ta mbajë peng LDK-në. Njëri nga nënkryetarët e LDK-së, dikur, shumë i zellshëm në bërjen e Hashimit president, tani kundërshton rizgjedhjen e Vjosë Osmanit presidente, duke thënë se “të 120 votat të deputetëve të Kuvendit të Kosovës do t`i këtë kundër!” Deklaratë më cinike, më skandaloze, më të poshtër vështirë mund të imagjinohet, për “një zonjë nga më inteligjentet në Evropës”,- siç e kanë vlerësuar bota akademike gjermane. Presidente brilante konsiderohet nga shqiptarët vendorë dhe botërorë.
Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, njësoj si rusët Putin dhe Medvedev, kishin planifikuar riciklimin e tyre në postet kryeministër-president. Këtë nuk e fshehë një tjetër nënkryetar i LDK-së: “Isa Mustafa është njeriu i duhur për President të Kosovës”! Ja, deri ku kishte arritur servilizmi, qyqarllëku, degradimi i LDK-së!
Qenia agjent i huaj e Hashim Thaçit; hartimi i listave emërore për ekzekutim, nga SHP të UÇK-së i kuadrove të Presidentit Rugova; të veprimtarëve të LDK-së; të ushtarakëve të FARK-ut dhe të tjerë. Vrasja e shumë syresh, do të ishin argumente të mjaftueshme, që me asnjë kusht të mos lejohej bërja president e tij, sidomos nga LDK-ja e përgjakur. A nuk ishte e mjaftueshme kjo, për ta shkarkuar Isa Mustafën dhe “aminxhinjtë” e tij servilë?!”, potencon ai.
Zeqiraj kritikon reagimin e deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu, duke thënë se ajo e zbut rolin e Hashim Thaçit dhe eksponentëve të tij, ndërsa ka të drejtë të vlerësojë mungesën e guximit politik të LDK-së.
Sipas Zeqirajt, Musliu gabon kur sulmon reformatorët si Vjosa Osmani, Donikë Gërvalla dhe Faton Peci, të cilët sipas tij shpëtuan LDK-në dhe Kosovën, ndërsa nuk e njeh meritën e LVV-së për ndryshimin dhe emancipimin e klasës politike kosovare.
“II. Reagimi deputetes të PDK-së, Ganimete Musliu dhe se “gabimi trashanik i LDK-së nuk ka qenë Hasshim Thaçi, por heshtja dhe mungesa kronike e guximit politik e kësaj partie”. Zonjusha Musliu nuk ka të drejtë kur mbron eksponentët e bërjes të Hashimit president, por ishin argatë të PDK-së dhe ajo kryen detyrën partiake. Natyrisht, ka plotësisht të drejtë kur thotë, “por heshtja dhe mungesa kronike e guximit politik e kësaj partie është gabim trashanik”. Veçse jo në kontekstin që ajo e përdorë.
Kjo dëshmohet me serinë e fajeve-krime që bëri Isa Mustafa, me klanin e tij, përfshirë nënshkrimin e Asociacionit, demarkimin e kufijve, duke i falur Kullë e Çakorr dhe marrëzira tjera, deri në rrënimin e LDK-së, sjelljen e saj në 9.8 %, nga që përqindjet shtesë u përkisnin partizave në koalicion.
Zonja Musliu sikur demanton vetën, kur mbron Hashimin, njeriun që e mbanë peng PDK-në e saj, duke i zvarritur eksponentët e Hashimit, nga mandati në mandat në Kuvend dhe në strukturat partiake.
Deputetja Ganimete thellon marrëzinë, kur përgojon guximtarët reformatorë: Vjosë Osmani, Donikë Gërvalla, Faton Peci, të cilët e shpëtuan nga shuarja LDK-në dhe Kosovën nga ngulfatja e një bande uzurpatore të pushtetit për dy dekada. Përgjatë mandatit, përkatësisht, 5 dhe 4 vjeçar, kanë shkëlqyer në detyrat e tyre institucionale, andaj janë shpërblyer me admirimin e popullit dhe me vjeljen e votave masive kuvendore.
Ajo zgjeron sulmin në partinë fituese-referendum, LVV, në vend që ta urojë dhe përgëzojë, për nismën e ndryshimit dhe të emancipimit të klasës politike kosovare. Deputetja veterane e PDK-së, të cilën e pengonte jo pak ish-kryetari Memli, pse nuk ishte drenicar, tani e ka rastin të mos heshtë më ndaj bllokadave të marrëzishme dhe kriminale të opozitës, siç ishte ajo 9 mujore, e cila më shumë se sa kundër Kurtit, ishte kundër Kosovës”, përfundon ai.