KGJK-ja cakton datat kur do të votohet për zgjedhjen e anëtarëve nga radhët e Apelit dhe Supremes

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) në mbledhjen e 368-të, të mbajtur të enjten, ka caktuar datat e ditës së zgjedhjeve, në të cilat gjyqtarët e Gjykatës Supreme me Dhomat e Posaçme, si dhe gjyqtarët e Gjykatës së Apelit, do të votojnë për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të KGJK-së nga radhët e këtyre gjykatave.
Data 23 janar 2025, nga ora 10:00 është vendosur për dy anëtarët e Këshillit Gjyqësor nga radhët e Gjykatës Supreme dhe 27 janar për zgjedhjen e një anëtare nga Gjykata e Apelit.
Gjykatësit Mejreme Memaj, Bashkim Hyseni, Franciska Zhitija dhe Rrustem Thaqi, janë kandidatë për dy pozita për anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Ndërkohë, për një pozitë për anëtare të KGJK-së nga radhët e Gjykatës së Apelit janë Mirlinda Bytyqi-Rexhepi dhe Afërdita Bytyqi.
Zëvendëskryesuesja e KGJK-së, Arjeta Sadiku ka propozuar këto dy data për ditën e zgjedhjeve të anëtarëve të Këshillit.
“Komisioni i propozon këshillit shpalljen e ditës së zgjedhjeve për anëtarë të Këshillit Gjyqësor nga radhët e Gjykatës Supreme që kemi vlerësuar të jetë data 23 janar nga ora 10:00 dhe 27 janar nga ora 10:00 për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit Gjyqësor të Gjykatës së Apelit dhe dhomave të shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale”, tha Sadiku.
Sadiku, ka bërë të ditur se kandidatët e vetnominuar të dy gjykatave plotësojnë të gjitha kushtet për të aplikuar për këtë pozitë.