Lushtaku pret në takim Naim Tërnavën, ia dhuron simbolin e UÇK-së

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku ka bërë të ditur se ka pritur në zyrë kyetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiun Naim Tërnava.

Sipas Lushtakut, gjatë këtij takimi diskutuan për bashkëpunimin e ndërsjellë, përkrahjen institucionale dhe angazhimin e përbashkët në shërbim të qytetarëve.

Ai e falenderoi edhe për ndihmën humanitare gjatë vërshimeve të fundit në Skenderaj. Në bazë të fotografive shihet se Lushtaku i ka dhuruar Tërnavës simbolin e UÇK-së me figuren e komandantit legjendar Adem Jashari.

“Një theks i veçantë iu kushtua ndihmës humanitare dhe kontributit të çmuar që realizohet përmes Shoqatës Bereqeti, e cila edhe gjatë vërshimeve të fundit në Skenderaj qëndroi pranë nesh dhe familjeve të prekura. Falënderoj Myftiun Tërnava për vizitën, mbështetjen dhe gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin në të ardhmen!”- ka shkruar Lushtaku në Facebook më 14.01.2026.

Shumë komuna të Kosovës, në mesin e tyre edhe Skenderaj, janë prekur nga vërshimet gjatë javës së shkuar pas reshjeve të shumta të shiu. Qytetarët e prekur nga vërshimet nëpër disa komuna po përballen me pasojat që uji la pas.