Pas humbjeve zgjedhore, reformat e brendshme janë e vetmja shpresë për LDK-në

LDK pas humbjeve zgjedhore, reformat e brendshme janë e vetmja shpresë

Që nga zgjedhjet e fundit, LDK-ja është bërë objekt i kritikave dhe sulmeve për shkak të rezultatit zgjedhor.

Ditët e fundit këto zëra janë intensifikuar edhe më shumë, ndaj të cilëve ka reaguar edhe ka reaguar edhe Agim Veliu, i cili ka kërkuar dorëheqjen e tij.

“Rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit për Lidhjen Demokratike të Kosovës është një sinjal i qartë që nuk mund dhe nuk duhet të anashkalohet.

Ky është një mesazh nga qytetarët dhe mesazhe të tilla kërkojnë reflektim të thellë dhe përgjegjësi politike.

Si kontribues i LDK-së, ndjej obligim moral dhe politik të them se humbjet e rënda nuk mund të relativizohen, as të kalohen me heshtje.

Në demokraci, përgjegjësia është parakusht për besim, ndërsa dorëheqja nuk është dobësi, por akt force dhe pjekurie politike.

Prandaj: dera është e hapur!

LDK, sot nuk ka nevojë për justifikime (në studio televizive), por për:

   •   analizë të menjëhershme  të shkaqeve të humbjes,

   •   hapje të brendshme dhe demokraci funksionale,

   •   dhe për një proces të ri zgjedhor në të gjitha nivelet që i jep shpresë anëtarësisë dhe elektoratit.

Vetëm duke hapur rrugë për ndryshim mund ta rikthejmë besimin e humbur dhe të përgatitemi  për sfidat e ardhshme.

Koha kërkon vendime të guximshme, jo mbrojtje asaj që nuk mbrohet, jo mbajtje të status quo-së.

LDK-së i duhen fitues në ekipin e saj, e jo kandidat të përhershëm!”, ka shkruar Veliu në Facebook.

Lidhur me këtë, analisti politik, Leon Duhanaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur për sjelljen dhe drejtimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) gjatë pesë viteve të fundit. Sipas tij, kjo periudhë ka shënuar një rrugëtim të çuditshëm dhe të pakuptueshëm për këtë parti, e cila dikur ishte një nga forcat kryesore politike në Kosovë.

ImageLeon Duhanaj

Gjithashtu, ai e ka kritikuar edhe udhëheqjen e kryetarit Lumir Abdixhikut.

“ Abdixhiku e udhëheq LDK-në që nga ajo kohë, por mbetet përshtypja se partia vazhdon të mbajë një raport të paqartë dhe një lloj bashkëpunimi të heshtur me znj. Osmani.

Pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, kur ekzistonte një mundësi reale për formimin e një qeverie opozitare, LDK zgjodhi të mos ndërmarrë asnjë veprim konkret”, ka theksuar ai.

Duhanaj ka folur edhe për periudhën pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, duke thënë se LDK refuzoi çdo mundësi për t’u përfshirë në ndonjë proces të rëndësishëm.

“Kjo ndodhi për faktin se LDK ishte e vetmja parti që kishte oferta nga të dy krahët politikë, por i refuzoi të dyja”, ka shtuar ai.

Gjithashtu, Duhanaj ka zbuluar se ku po e kërkon LDK-ja fajtorin.

 “Së fundmi, kam vërejtur se LDK ka filluar të kërkojë fajtorë te figura e Hashim Thaçit, edhe pse ai tashmë prej mbi pesë vitesh ndodhet në paraburgim. Kjo qasje lë shenja shqetësuese dhe nuk jep shpresë për një këndellje reale të LDK-së”, ka thënë ai

Në fund, ai  ka paralajmëruar se LDK-ja mund të shkojë drejt një lufte për mbijetesë politike.

“Reformat fillojnë nga maja e partisë, nëse ekziston vullneti për to. Në të kundërtën, përçarjet e brendshme vetëm sa e shtyjnë LDK-në drejt një lufte për mbijetesë politike”, ka përfunduar Duhanaj.