PDK përgatitje për zgjedhje të brendshme, vjen paralajmërimi: Ja çmimi që mund t’i kushtojë nëse…

Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur të hënën mbledhjen e kryesisë, të dytën pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, në të cilën është diskutuar analiza e brendshme e procesit zgjedhor dhe e rezultatit elektoral.

Sipas një njoftimit, gjatë kësaj mbledhjeje janë adresuar në mënyrë gjithëpërfshirëse të gjitha çështjet që lidhen me zgjedhjet e fundit, ku PDK është renditur si forca e dytë politike, duke ruajtur votën e saj tradicionale. Po ashtu, janë nxjerrë rekomandime konkrete për hapat e mëtejmë politikë dhe organizativë të partisë në të gjitha nivelet.

“Si hap i parë drejt ecjes përpara dhe forcimit të mëtejmë të partisë, kryesia e PDK-së ka miratuar vendimin për fillimin e përgatitjeve për zgjedhjet e brendshme partiake, të cilat do të zhvillohen në të gjitha nivelet organizative, nga nëndegët dhe degët, deri te organet qendrore të partisë.

Ky proces do të nisë gjatë javëve të ardhshme përmes emërimit të grupeve punuese dhe përpilimit të hapave konkretë, me synimin për një proces gjithëpërfshirës, demokratik dhe transparent, që ka për qëllim konsolidimin e strukturave, forcimin e unitetit të brendshëm dhe përgatitjen e PDK-së për sfidat politike. Partia Demokratike e Kosovës mbetet e përkushtuar që, mbi bazën e reflektimit dhe përgjegjësisë politike, të vazhdojë ngritjen e saj si parti kryesore opozitare, e organizuar dhe e besueshme, në shërbim të qytetarëve dhe të interesit të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e PDK-së.

Analisti Nexhat Haziri, thotë se këto zgjedhje janë mundësi e mirë për PDK-në që të hap kuadro të reja.

“Vetë shpallja e zgjedhjeve të brendshme nga ana e lidershipi të PDK- së tregon se është marrë përgjegjësia për rezultatin e dobët në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Këto zgjedhje janë mundësi e mirë për vet PDK që të hapët për kuadro të reja, e që nuk nënkupton vetëm sa i përket moshës, dhe e rëndësishmja të ketë garë idesh e programesh që do ta forconin demokracinë e brendshme në këtë parti”, deklaron Haziri.

Image
Nexhat Haziri

Ai kërkon që PDK ta mos kthejë këtë proces në improvizim zgjedhjesh e improvizim reformash.

“Ajo që nuk duhet ta bëjë PDK-ja është që këtë proces mos ta kthejë në improvizim zgjedhjesh, në improvizim reformash, që mund t’i kushtojnë, siç është rasti me LDK-në. Proceset zgjedhore të partive politike duhet të jenë përmbajtësore, reformuese, gjithëpërfshirëse dhe demokratike, ku gara vendos se kush duhet të jetë lideri i ardhshëm i partisë”, pohon analisti.

Ai shton se “nuk mund të kemi shoqëri demokratike nëse vetë partitë politike nuk e kultivojnë dhe nuk e avancojnë demokracinë e brendshme”.

Kujtojmë se Kuvendin e Kosovës pritet ta përbëjnë 22 deputetë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e cila u rendit e dyta në zgjedhjet e mbajtura më 28.12.2025 me 20.19% të votave.

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Bedri Hamza, pas përfundimit të numërimit të votave të zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit, ka falënderuar qytetarët për mbështetjen dhe duke e cilësuar rezultatin si një përgjegjësi të madhe politike për PDK-në.

Në një postim publik, Hamza ka theksuar se ruajtja e elektoratit të PDK-së në një garë që ai e quan të vështirë dhe të pabarabartë, dëshmon se mijëra qytetarë vazhdojnë t’i besojnë seriozitetit dhe vlerave që kjo parti përfaqëson.

“Këtë besim e marrim me përgjegjësi të madhe”, ka shkruar Hamza, duke shtuar se rezultati zgjedhor e obligon PDK-në që të riorganizohet, të konsolidojë radhët dhe të intensifikojë veprimin politik në periudhën në vijim.

Ai ka nënvizuar se PDK do të vazhdojë të angazhohet për çdo qytetar, pa dallim, në çdo nivel dhe platformë ku është e pranishme, me këmbëngulje dhe bindjen se Kosova meriton më shumë dhe më mirë.