Prokuroria Speciale ngre aktakuzë kundër 21 ushtarëve dhe policëve serbë

27 vjet pas, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë për Masakrën e Reçakut, ku u vranë dhe u masakruan 42 civilë shqiptarë. Aktakuza ngarkon 21 ushtarë dhe policë serbë për krimet e kryera në Reçak më 15 janar 1999.

Edhe në aktakuzën e Prokurorisë Speciale, e cila është ngritur pas hetimeve shumëvjeçare, përshkruhen vrasjet, maltretimet dhe trajtimi çnjerëzor i popullsisë civile në Reçak më 15 janar të vitit 1999 nga ushtarë dhe policë serbë.

Janë 21 ushtarë dhe policë serbë me zinxhir komandues, që, sipas aktakuzës, ishin pjesë e vrasjeve të 42 shqiptarëve, përfshirë gra, burra, fëmijë, emrat e të cilëve gjenden në Shtojcën 1 të kësaj aktakuze.

Pas hetimeve shumëvjeçare, Prokuroria në aktakuzë përshkruan krimin e kryer duke ua dhënë vlerësimin si ndër krimet më të mëdha që ka kryer Serbia gjatë luftës në Kosovë.

Rreth orës 06:00 të mëngjesit, ata e rrethuan fshatin Reçak, fillimisht e granatuan nga distanca prej disa vendeve të njohura si “Pishat”, “Gështenjat”, “Çesta” dhe “Guri i Shpum”, e më pas, me automjete të blinduara, hynë në fshat dhe filluan kontrollimin shtëpi më shtëpi.

Pas përndjekjes, dhunës fizike e psikike, në një oborr ata ndanë burrat nga gratë, dhe pas marrjes së një urdhri përmes radiolidhjes nga udhëheqësit e këtij operacioni, forcat serbe i rreshtuan në kolonë duke i nisur në drejtim të malit, te “Kodra e Bebushit”.

Rrugica ishte paraprakisht e rrethuar nga policia në të dy anët dhe, në momentin kur civilët arritën në këtë lokacion, duke ecur në kolonë, papritmas filluan të shtënat me armë automatike nga të dy anët e rrugicës, pa ndërprerë për disa minuta, duke i ekzekutuar 24 persona në mënyrën më mizore.

Si rezultat i këtij operacioni të forcave policore dhe ushtarake serbe, u vranë mizorisht 42 shqiptarë, të të dy gjinive, të moshave të ndryshme.

Prokuroria ka propozuar që gjykimi ndaj tyre të zhvillohet në mungesë, meqë ata janë “të paarritshëm për organet e drejtësisë” të Kosovës.