Raportimet për dronë serbë nxisin alarm, eksperti sqaron rolin e KFOR-it

Ditëve të fundit, në media u raportua për praninë e dronëve serbë brenda territorit të Kosovës, duke rikthyer shqetësimet për sigurinë dhe sovranitetin e vendit, veçanërisht në zonat kufitare.
Këto raportime kanë nxitur reagime dhe diskutime në opinionin publik, ndërsa institucionet e sigurisë janë detyruar të sqarojnë natyrën e aktiviteteve ajrore të evidentuara.
Lidhur me këtë çështje ka folur eksperti i sigurisë, Drizan Shala, i cili thekson se raste të tilla nuk janë të panjohura për Kosovën.
Drizan Shala“Në të kaluarën ka pasur raste të dokumentuara kur fluturimet e dronëve mbi brezin kufitar të Kosovës janë identifikuar si të ardhura nga Serbia, duke ngritur shqetësime legjitime në lidhje me sigurinë dhe sovranitetin”, shprehet Shala.
Megjithatë, sipas tij, për rastin konkret që po shqyrtohet aktualisht, informacionet zyrtare flasin për një aktivitet tjetër.
“Sipas informacionit zyrtar të dhënë për rastin në shqyrtim, aktiviteti ajror i regjistruar i përket misionit ndërkombëtar të sigurisë KFOR, i cili vepron sipas mandatit të tij duke monitoruar dhe ruajtur stabilitetin”, thekson eksperti i sigurisë.
Shala vlerëson se, pavarësisht origjinës së dronëve, këto situata krijojnë ndjenjë reale pasigurie tek qytetarët, sidomos në zonat më të ndjeshme.
“Megjithatë, këto situata – pavarësisht nga origjina e dronëve – krijojnë ndjenja reale pasigurie tek qytetarët, veçanërisht në zonat kufitare dhe komunat e ndjeshme ndaj sigurisë. Për banorët vendas, dallimi mes një droni të një misioni ndërkombëtar dhe një droni që vjen nga jashtë territorit nuk është gjithmonë i qartë, gjë që ndikon drejtpërdrejt në perceptimin e rrezikut dhe paqen publike”, vlerëson ai.
Sipas Shalës, pikërisht për këtë arsye është i domosdoshëm një komunikim më i hapur dhe më transparent nga institucionet përgjegjëse.
“Është shumë e rëndësishme që institucionet lokale dhe misionet ndërkombëtare të sigurisë të angazhohen në një komunikim më aktiv dhe transparent me shoqërinë, duke sqaruar se çfarë ndodh, për çfarë arsye dhe si. Informimi i duhur dhe në kohë është bazë për të parandaluar panikun dhe për të shmangur keqinterpretimet e situatave të sigurisë”, thekson ai.
Në fund, eksperti i sigurisë nënvizon se kjo çështje nxjerr në pah nevojën që Kosova të vazhdojë forcimin e kapaciteteve të saj për monitorim dhe koordinim të vazhdueshëm me misionet ndërkombëtare të sigurisë, me qëllim garantimin e stabilitetit dhe qetësisë për qytetarët.