Robert Bosch: Qeveria e re e Kosovës të ndërtohet me dialog, pa kompromentuar parimet

Ish-ambasadori holandez në Kosovë, Robert Bosch, vlerëson se Lëvizja Vetëvendosje, tashmë me mbështetjen e partive të pakicave dhe Nenad Rasiçit, ka një shumicë të qartë parlamentare, por sipas tij kjo nuk e përjashton nevojën për dialog politik.

“Tani që VV ka me partitë e pakicave dhe Rasiçin një shumicë të qartë, ata duhet të kontaktojnë partitë e tjera duke treguar vullnet të mirë”, ka deklaruar Bosch.

Ai shton se edhe në rast se kjo qasje refuzohet, siç ka ndodhur gjatë periudhës së fundit, Vetëvendosje do të ketë treguar se ka ndërmarrë një iniciativë pozitive dhe konstruktive.

ImageIsh ambasadori holandez, Robert BoschBosch thekson se formimi i qeverisë së re nuk duhet të zvarritet, pasi vendi ka nevojë urgjente për institucione funksionale. Sipas tij, “së shpejti duhet të formohet një qeveri me ligje dhe rregullore që nuk kërkojnë vonesa të mëtejshme dhe që do të zbatohen”.

Në prononcimin e tij, ish-diplomati holandez nënvizon rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Ai vlerëson se qeveria e re duhet të jetë e gatshme të zbatojë masat që kërkohen nga këto përfaqësi diplomatike.

“Është mirë që qeveria e re, në fazën e parë, të diskutojë çështjet e pazgjidhura me partnerët e jashtëm dhe të përpiqet t’i bindë ata të mos kërkojnë nga Kosova më shumë sesa nga Serbia, siç ka ndodhur deri më tani”, ka deklaruar Bosch.

Sipas tij, kjo kërkon një angazhim serioz diplomatik.

“Këtu nevojitet diplomaci e vërtetë prapa skenave”, thekson ai.

Bosch rikujton se tensionet e vitit të kaluar kanë penguar progresin e Kosovës në rrugën euro-atlantike, ndaj, sipas tij, është në interesin e vendit që kjo situatë të përmirësohet me ndihmën e vendeve mike dhe deputetëve të Parlamentit Evropian, ku Kosova ka mbështetës.

Ish-ambasadori holandez përmbledh qëndrimin e tij duke theksuar se Kosova duhet të synojë bashkëpunimin me të gjithë aty ku është e mundur, pa cenuar apo tradhtuar parimet e saj themelore.