Supremja refuzon ankesën e PDK-së, në fuqi vendimi i PZAP-së

Gjykata Supreme e Kosovës e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), të paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

PDK-ja kishte ushtruar ankesë pasi PZAP e kishte hedhur poshtë si të pasafatshme ankesën ZP.Anr.69/2025, të datës 8 janar 2026. Në kërkesën e saj, ky subjekt politik kishte propozuar që Gjykata Supreme ta urdhërojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që të anulojë të gjitha fletëvotimet e pranuara me postë pas datës 29 dhjetor 2026, ora 16:00, dhe t’i përjashtojë nga numërimi ato të pranuara pas këtij afati, përfshirë fletëvotimet e pranuara më 2 dhe 5 janar 2026, si dhe të rishikojë rezultatin zgjedhor pa përfshirjen e tyre.

Pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, Gjykata Supreme ka vlerësuar ligjshmërinë e vendimit të kontestuar dhe ka konstatuar se ankesa është e pathemeltë. Sipas Gjykatës, qëndrimi juridik i PZAP-së është i drejtë dhe i bazuar, andaj vendimi i këtij institucioni mbetet në fuqi.

Në arsyetimin e saj, Gjykata Supreme ka theksuar se afatet ligjore janë garanci për palët ankuese dhe detyrim për institucionet përgjegjëse për shqyrtimin e ankesave brenda afatit kohor, duke nënvizuar se respektimi i afateve në procesin zgjedhor është jetik për përmbylljen e tij dhe për të shmangur zvarritjet kohore.